Lajme

Arrestohet një serb në Veri, ishte i dënuar me burg për grabitje në vitin 2020


Ilustrim

Policia e Kosovës, këtë të shtunë, ka njoftuar se në fshatin Zupqë të Komunës së Zubin Potokut, ka arrestuar një serb.

I dyshuar serb, sipas Policisë së Kosovës, ishte shpallur fajtor për veprën penale “Grabitje” dhe i është shqiptuar dënim me burg.

“Personi i arrestuar kërkohej nga Gjykata Themelore Mitrovicë, pasi më 20 maj të  vitit 2020, ishte shpallur fajtor për veprën penale ‘Grabitja’ dhe i ishte shqiptuar dënim me burg. I dënuari është dërguar në vuajtje të dënimit në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Ndryshe një javë më parë, Policia e Kosovës, kishte arrestuar një person të dyshuar të nacionalitetit serb për “krime lufte kundër popullatës civile” në Kosovë.

I dyshuari serb, sipas Policisë së Kosovës, ishte ndaluar në pikë kalimin kufitar në Jarinje me dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile të kryera gjatë viteve 1998-1999 në Komunën e Vushtrisë.

“Personi i dyshuar është dërguar në polici dhe pritet të intervistohet në prezencë të avokatit mbrojtës, ku të gjitha procedurat e mëtejme do të ndërmerren në bashkërendim me organet e drejtësisë”, thuhej në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Kjo s’ishte rasti i parë që Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuar serb për krime lufte në Kosovë.

Së fundmi më 10 tetor Departamenti i Policisë kufitare në bashkëpunim me hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, kanë arritur të arrestojnë serbin me iniciale (T.B.) i cili dyshohet për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” të kryer gjatë viteve 1998-1999 në komunën e Vushtrrisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore