Shqipëria

Arrestohet një polic, ka ndihmuar më parë Ervis Martinajn


Një efektiv i Policisë së Lezhës ka rënë në pranga pasi dyshohet se ai ka shpërdoruar detyrën duke i dhënë ndihmë gjatë ushtrimit të detyrës për transport, Ervis Martinajt, një prej personave më të kërkuar në Shqipëri.

Sipas detajeve të para, nga strukturat hetimore të Drejtorisë së Policisë së Lezhës në bashkëpunim me Prokurorinë e Kurbinit, efektivi J.L., 28 vjeç, banues në Tiranë me detyrë punonjës policie agjent pranë Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, e ka ndihmuar më parë Martinajn për lëvizjet që ky i fundit bënte, edhe pse ishte ndër personat më të kërkuar në Shqipëri.

Gjykata e Shkallës së Parë Kurbin, me vendimin e datës 23.08.2022, ka caktuar ndaj shtetasit J. L. masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Nga ana tjetër, Albanian Post raportoi më 19 gusht se trupi i Martinajt është parë i vrarë dhe i masakruar në gjashtë pjesë, së bashku me atë të një mikut të tij.

Në detaje paraprake, mendohet se ai është nxjerrë nga një person i afërt, mik i tij, nga banesa (fortesa) e tij, i cili e ka çuar drejt grupeve rivale, besohet diku në regjion të Vorës, mëson Albanian Post.

Ngjarja ende mbetet për t’u konfirmuar nga Policia e Shtetit, e cila as ka e ka pohuar dhe as e ka mohuar atë.

Nga ana tjetër, burimi i Albanian Post bëri me dije se trupi i Martinajt vështirë se do të mund të gjendet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore