Kosova

Arrestohet një person që kishte ikur nga burgu i Smërkovnicës, në përpjekje për të ikur i sulmon policët


Ilustrim

Zyrtarët policorë në Kaçanikë kanë arrestuar një person që po kërkohej pasi dy muaj më parë ishte larguar nga burgu Smërkovnicës.

“Sot rreth orës 15:20, në rrugë, në fshatin Biçec të Kaçanikut, kanë identifikuar dhe arrestuar personin e kërkuar me inicialet N.H ( M/K) i moshës 33 vjeçar, i cili dy muaj më parë ishte arratisur nga burgu i Smërkovnicës”, ka njoftuar policia.

Por, sipas njoftimit të policisë, gjatë arrestimit të tij, në përpjekje për të ikur, i dyshuari ka sulmuar dy zyrtarët policorë, duke ju shkaktuar lëndime trupore.

Policët dhe i prangosuri më pas kanë pranuar tretman mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj.

Policia të dyshuarin e ka shoqëruar në stacionin policor të Kaçanik dhe pas intervistimit nga policët hetues të Sektorit Rajonal të Hetimeve, me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj është dërguar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore.

Ndërkaq më 8 maj, një person është plagosur rëndë nga zyrtarët policorë në lagjen Vranjevc të Prishtinës.

Policët kanë shtënë drejt personit me inicialet B.B, pasi ky i fundit kishte gjuajtur me kallashnikov të tipit AK-47 në drejtim të tyre, teksa po i bastisej shtëpia pasi dyshohej për posedim të armëve pa leje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore