Kosova

Arrestohet një person për krime lufte në Leposaviq


Foto: Albanian Post.

Një person është arrestuar për shkak të dyshimeve se ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile”, gjatë luftës në Kosovë.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës, përmes një komunikate dërguar mediave ku thuhet se i njëjti dyshohet se këto krime i kishte kryer në Gjakovë.

“Sot më 27.06.2024, Policia e Kosovës, konkretisht hetues nga Drejtoria për hetimin e krimeve të luftës (DHKL), në bashkëpunim me agjentë nga AKI dhe të mbështetur nga njësit policore të rendit të DRP Mitrovicë veri kanë realizuar një plan taktik me ç’rast në Leposaviq është ndalu dhe arrestuar i dyshuari m/s me iniciale (S.L.)”, thuhet në komunikatën për media.

Nga policia është thënë se konsultimet e fundit me prokurorin e rastit kanë rezultuar me vlerësimin që veprimet e mëtejme hetimore të orientohen drejt sigurimit të prezencës së të pandehurit në këtë çështje penale.

“Të njëjtit me urdhër nga organet e drejtësisë i është bastisë shtëpia në Leposaviq ku hetuesit kanë konfiskuar dëshmi relevante të cilat do të trajtohen gjatë procedurës së mëtejme hetimore”.

I dyshuari është thënë se aktualisht është në ambientet policore për procedura të mëtejme të intervistimit.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë.

Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë.

Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore