Kosova

Arrestohet një person për krime lufte


Policia e Kosovës

Një person i nacionalitetit serb është arrestuar si i dyshuar se ka kryer krime lufte.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.

“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, në koordinim, bashkëpunim dhe me autorizim të prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, sot më 12.09.2024, ka arrestuar të dyshuarin T.P., i nacionalitetit serb, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘krimi i luftës kundër popullsisë civile”.

Në njoftimin e policisë thuhet se i dyshuari gjatë kohës së luftës në Kosovë, rreth muajit mars të 1999-së, në Istog ka kryer vepra të ndryshme penale duke përfshirë plaçkitjen dhe shkatërrimin e pasurisë së popullsisë civile.

Me urdhër të prokurorit të çështjes, i pandehuri gjendet nën masën e arrestit dhe ndalimit policor, për t’u dërguar tek gjyqtari i procedurës paraprake brenda afatit ligjore.

Serbia nuk i pranon krimet e luftës në Kosovë, nuk kërkon falje dhe nuk tregohet e gatshme të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare për t’i dorëzuar kriminelët e luftës dhe për të dhënë informacione për varrezat masive, ku janë fshehur trupat e civilëve të masakruar në periudhën 98-99.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë.

Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.

Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur, kryesisht shqiptarë.

Në përfundim të misionit të tij, Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ka rekomanduar që vendet e ish-Jugosllavisë ku përfshihej edhe Kosova t’i hetojnë dhe trajtojnë krimet që janë kryer në territorin e këtyre vendeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore