Lajme

Arrestohet në Francë themeluesi i Telegram, Pavel Durov


Shefi ekzekutiv i Telegram, Pavel Durov, është arrestuar nga Policia franceze në një aeroport në veri të Parisit.

Durov u arrestua pasi avioni i tij privat ishte ulur në aeroportin Le Bourget, raportuan mediat franceze.

Sipas zyrtarëve, 39-vjeçari ishte arrestuar nën një urdhër për shkelje të lidhura me aplikacionin popullor të mesazheve.

Ambasada ruse në Francë po ndërmerr “hapa të menjëhershëm” për të sqaruar situatën ndërkohë, sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS.

Durov kishte qenë duke udhëtuar me avionin e tij privat, tha kanali televiziv francez TF1 në faqen e tij të internetit.

Telegrami është veçanërisht i popullarizuar në Rusi, Ukrainë dhe shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik.

Aplikacioni u ndalua në Rusi në vitin 2018, pas një refuzimi të mëparshëm nga Durov për të dorëzuar të dhënat e përdoruesit.

Por ndalimi u anulua në vitin 2021.

Sipërmarrësi me origjinë ruse jeton në Dubai, ku është vendosur Telegram dhe ka shtetësi të dyfishtë të Francës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Telegrami renditet sot si një nga platformat kryesore të mediave sociale pas Facebook, YouTube, WhatsApp, Instagram, TikTok dhe Wechat, me mbi 900 milionë përdorues.

Durov themeloi Telegram në vitin 2013 dhe u largua nga Rusia në 2014, pasi refuzoi të përmbushte kërkesat e qeverisë për të mbyllur komunitetet e opozitës në platformën e tij të mediave sociale VKontakte, të cilën ai e shiti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore