Shqipëria

Arrestohet i dyshuari për tritolin në banesën e Dukës


Një person është vënë në pranga pasi është edhe i dyshuari kryesor për tritolin e vendosur në banesën e kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, natën e 24 janarit.

Pavarësisht faktit se në një deklaratë paraprake, Duka nuk besonte tek institucionet se do ta kapnin autorin, duket se identifikimi i tij dhe kapja janë kryer 24 orë pas ngjarjes.

Burime pranë Policisë së Durrësit për Albanian Post, bëjnë me dije se personi është shtetasi me iniciale A.H., i cili banon në të njëjtën lagje me kreun e FSHF-së.

Ndërtimi i ngjarjes

Policia e Shtetit ka sekuestruar të martën e 25 janarit pamjet e kamerave të sigurisë në banesën e kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Mbrëmjen e 24 janarit, qyteti i Durrësit u trondit, pasi një shpërthimi me lëndë plasëse (tritol) pranë shtëpisë së presidentit të FSHF-së.

Sipas njoftimit të policisë, pati vetëm dëme të vogla materiale.

Ndërkohë, autoritetet kanë vendosur dhe perimetrin e sigurisë në vendngjarje.

Banesa është marrë sakaq në ruajtje nga efektivët e policisë.

Sipas burimeve të Albanian Post, shpërthimi ndodhi në portën e banesës së Dukës.

Teksa, vetë Duka, nga vendi i ngjarjes, do të deklaronte se shpërthimi ka qenë i fortë.

Gjithashtu, ai bëri me dije se nga kamerat e sigurisë është filmuar e gjithë ngjarja.

Një person me kapuç, ka thënë Duka, shfaqet duke vendosur lëndën plasëse dhe më pas largohet.

Gjithsesi, ai nuk dëshiroi të hidhte dyshime pa pasur një hetim nga Policia.

Incidenti u regjistrua pas një përplasjeje mes Dukës dhe Veliajt, në një luftë aspak të zakontë në futbollin shqiptar.

Duka garon në zgjedhjet e 2 marsit për të gjashtin mandat në krye të FSHF-së, përballë komentatorit të njohur sportiv, Dritan Shakohoxha.

Përplasja “Duka-Veliaj”

E diela e 23 janarit, do të bënte që mediat të gëlonin mbi një çështje të paprecedentë në Shqipëri.

Bashkia e Tiranës, në rolin e aksionerit të Sport Klub Tirana, do ta padiste Armand Dukën për një sërë akuzash, ndër të cilat korrupsion në krye të FSHF-së, duke përpiluar një dosje voluminoze edhe ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, nga vetë Federata, përgjigjja erdhi e shpejtë.

Sipas tyre, akuzat kishin të bënin me një përpjekje për të destabilizuar garën zgjedhore. Por, ato u faktuan të hënën e 24 janarit, kur Prokuroria e Tiranës nisi zyrtarisht hetimin për Dukën.

Megjithatë, nga vetë Federata, çështja u shpërfill. Ata u fokusuan te goditja ndaj vetë Veliajt dhe nxorën në dritë një audio-përgjim 30-minutësh, nga mbledhja e kryebashkiakut të Tiranës me disa zyrtarë të klubeve sportive tiranase.

Në të, Veliaj dëgjohej teksa fliste me tone të ashpra ndaj Dukës dhe dy dekadave të tija në FSHF.

Më pas, episodi i radhës u zhvendos në zgjedhjen e kryetarit të ri të Shoqatës rajonale të Futbollit Tiranë. Me 44 vota, Krenar Alimehmeti u shpall fitues.

Mirëpo, këtë vendim, Veliaj dhe drejtues të tjerë klubesh sportive në Tiranë e kanë cilësuar si një farsë pasi, sipas tyre, asnjë nga shoqatat nuk i njihte ata të cilët votuan.

Dy kallëzime penale të reja sakaq do të bëhen kundrejt strukturave të FSHF-së.

E para, do të jetë për sekretarin e Përgjithshëm të Federatës, Ilir Shulkun. Tjetri, për sekretarin e shoqatës rajonale të futbollit.

“Disa njerëz do të bëjnë burg për këtë çështje”, u duk i bindur Veliaj. “Do të shkojnë në burg! Është e pafalshme! do shkojnë në burg. Kjo është kriminale”.

Të pranishëm në takim me të ishin edhe përfaqësues nga 20 shoqata.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore