Kosova

Arrestohet edhe një i dyshuar për sulme ndaj gazetarëve në Veri


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se këtë të shtune është arrestuar edhe një i dyshuar për sulmet ndaj gazetarëve në Veri të Kosovës.

Sveçla përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, tha se “sot është arrestuar nga Policia e Kosovës në Jarinje edhe një sulmues i gazetarëve në veri, krimineli Dalibor Spasiç”.

“Përgëzoj njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës për efikasitetin dhe punën e vazhdueshme me qëllim të vendosjes së rendit dhe ligjit në çdo cep të Republikës së Kosovës”, shtoi ai.

Tutje, ministri Sveçla theksoi se “në vendin tonë demokratik aktet kriminale nuk kalojnë pa pasoja”.

“Këtë duhet ta dijnë edhe ata për të cilët nuk ka pasur pasoja ligjore për gjithë këto vite. Republika nuk zmbrapset përballë kriminelëve e milicisë fashiste”, përfundoi ai.

Ndryshe, edhe të premten Policia e Kosovës bëri me dije se ka arrestuar një të dyshuar për sulm ndaj gazetarëve.

Siç thuhej në komunikatën për media; “si rezultat i punës dhe hetimeve intensive të njësiteve policore, është arritur të identifikohet një person i dyshuar i cili me datë 29 maj 2023 në Leposaviq, kishte sulmuar gazetarët e disa mediumeve”.

“Pas sigurimit të dëshmive dhe identifikimit të personit të dyshuar (mashkull serb), i njëjti është arrestuar sot në orët e pasdites në Leposaviq dhe më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme policore. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”.

Ndërkaq, nga Policia deklarojnë se mbesin të “përkushtuar në realizimin e detyrave të saja ligjore dhe kushtetuese, për ruajtje të rendit dhe sigurisë publike, për sundim të ligjit dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të personave të dyshuar që bien në kundërshtim me rendin dhe ligjin”.

Për arrestimin e të dyshuarit përmes një postimi në rrjetin social Facebook njoftoi edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili bëri të ditur edhe identitetin e të arrestuarit.

“Nemanja Vllaskoviç do të ballafaqohet me drejtësi për sulmet e kryera ndaj gazetarëve tanë”, shkroi ai në Facebook, duke shtuar se “të gjithë sulmuesit dhe kriminelët do të sillen para drejtësisë, kjo nuk ka alternativë”.

Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin për sulme ndaj gazetarëve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore