Kosova

Arrestohen dy persona për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore


Policia e Kosovës. Foto nga arkivi.

Dy persona janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer vepra penale ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike dhe mashtrim.

Lajmi është bërë i ditur nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë, njofton opinionin se janë arrestuar në Vushtrri dy persona me iniciale N.M,. dhe P.I., me dyshimin se kanë kryer veprat penale ‘Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike’ nga neni 256 i KPRK dhe ‘Mashtrimi nga neni 323 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Të njëjtit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa është thënë se do të merret vendim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre të martën.

Edhe më 1 shkurt, janë intervistuar dy persona nga Prokuroria Themelore e Prishtinës pasi dyshohet që në objektin afër stacionit policor ishin duke u ofruar shërbime të kundërligjshme mjekësore dhe farmaceutike, ndërsa disa të tjerë në cilësinë e dëshmitarëve.

Sipas njoftimit, pas intervistimit të dyshuarve, të njëjtit ishin liruar në procedurë të rregullt, derisa është hapur rast penal në drejtim të veprës penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, sipas KPRK-së.

Gjithashtu, është bërë e ditur se nga bastisja e realizuar, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë sekuestruar prova materiale të cilat do të shërbejnë në procedurën penale, ndërsa me vendim të Inspektoratit Shëndetësor është mbyllur objekti në fjalë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore