Kosova

Arrestohen dy persona në Veri, iu konfiskohet një sasi e madhe e armëve


Foto: Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se janë arrestuar edhe dy persona në Veri dhe janë konfiskuar një sasi e madhe e armëve.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia përmes një komunikate për media.

“Vlerësuar në aspektin e sigurisë, situata në veri të vendit është e qetë, por mbetet e tensionuar. Policia e Kosovës (PK), siç ka raportuar në konferencën e datës 25.09.2023, se operacioni policor është ende duke vazhduar dhe si rezultat i saj në një hotel ka arrestuar dy persona të dyshuar si dhe në zonën e fshatit Banjskë janë gjetur dhe janë konfiskuar disa mjete dhe arsenal armësh”, thuhet në komunikatë.

Tutje, Policia ka sqaruar se numri i të arrestuarve deri më sot ka shkuar në tetë.

“Pas arrestimit të dy sulmuesve terroristë me armë zjarri ndaj zyrtarëve policorë, arrestimit të katër personave të dyshuar të cilët ishin hasur nën posedim ilegal të radiolidhjeve e të cilët dyshohet se ndërlidhen me grup terrorist, si dhe arrestimit të dy personave të dyshuar, me datën 25.09.2023 numri i të arrestuarve deri më tani ka arritur në tetë persona”.

Nga ky institucion janë bërë të ditur edhe mjetet të cilat janë konfiskuar.

“Mjetet e konfiskuara me 25.09.2023 përbëjnë një veturë rëndë të blinduar, dy vetura dhe një makineri e rëndë (bager), të cilat kanë qenë të mbushura me sasi të madhe e që kryesisht përbëjnë: një armë e kalibrit të rëndë (lansues me nitro 30 mm), tri armë të kalibrit të rëndë (gulinov me tri tyta), dy armë të gjata (mitraloza), një snajper (black spear 12.7mm)”.

“Një minahedhës (82 mm), njëzet e dy armë të gjata (AK 47), një automatik (RPZ), dy pushkë gjuetie, dy armë të shkurta (revole), një granatë dore,  shtatëdhjetë e katër karikatorë për AK 47, nëntë jelekë antiplumb, një radiolidhje, tetë çanta ushtarake, gjashtë uniforma ushtarake”.

Nga Policia, është bërë e ditur se dy armë të gjata AK 47 janë gjetur në manastir, si dhe një helmetë e PK-së e cila është marrë nga vendi i ngjarjes ku është vrarë rreshteri policor, të dielën.

Teksa ka thënë se njësitet policore në rrethanat e krijuara në zonën e fshatit Banjskë, po qëndrojnë afër qytetarëve, duke iu ofruar siguri dhe duke iu mundësuar e ofruar ndihmë sipas nevojave dhe kërkesave të banorëve.

Çka ndodhi të dielën e 24 shtatorit në Veri?

Në fshatin Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator ndodhën sulme terroriste ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra polici Afrim Bunjaku, u plagos polici Alban Rashiti si dhe u lëndua një tjetër.

Pas kësaj Policia e Kosovës reagoi duke kërkuar nga terroristët të dorëzohen, ata refuzuan të dorëzohen duke vazhduar sulmet me armë ndaj policisë.

Nga gjuajtjet me armë zjarri, katër terroristë u vranë dhe tetë janë arrestuar.

Lidhur me sulmet terroriste, Policia ka sekuestruar arsenal armësh në Zveçan, të cilat u publikuan gjatë ditës së hënë.

Më 26 shtator, Sveçla publikoi edhe një video të incizuar me dron, ku pretendohet se shihet Radoiçiçi i armatosur në Banjskë.

Lista Serbe partia që ka mbështetjen e Beogradit e as institucionet në Serbi nuk kanë reaguar lidhur me akuzat e Kosovës për përfshirjen e pretenduar të Radoiçiçit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore