Kosova

Arrestohen dy kirurgë të Spitalit të Vushtrrisë për ryshfet, i treti në kërkim


Spitali “Sheikh Zayed” në Vushtrri.

Policia e Kosovës, ka konfirmuar se janë arrestuar dy kirurgë nën dyshimin për marrje ryshfeti, pas raportimeve se kishin marrë para për t’i kryer operimet.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës për Albanian Post.

“Mund të ju konfirmojmë se Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia Rajonale për Hetime të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit Mitrovice-Jugu, ka arrestuar dy persona me dyshimin e bazuar për marrje ryshfeti, përderisa personi i tretë mbetet në kërkim policor”.

Nga ky institucion është thënë se veprimet e tjera do të merren në koordinim me organet e drejtësisë.

Spitali “Sheikh Zayed” në Vushtrri.

“Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”.

Arrestimi i tyre vjen pas raportimeve të “Gazetës Shneta”, ku është thënë se tre kirurgët janë të përfshirë në një skandal të korrupsionit, të cilët dyshohet se kishin kërkuar para për të kryer operacione në këtë spital.

Ky rast, ishte iniciuar nga gazetari Bujar Vitija në Policinë e Kosovës më 3 tetor të vitit të kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore