Arrest shtëpie për kryebashkiakun e Tropojës dhe zv.kryetarin, SPAK: Shkelën ligjin për ndërtimin e 2 rrugëve

SHFLETO
Rajmonda Basha
09.09.2024 18:55
Loading Icons...

Gykata e Posaçme ka caktuar masën arrest shtëpie për kryetarin e bashkisë së Tropojës Rexhë Byberi.

SPAK e akuzon për shpërdorim detyre, ndërsa Policia e Shtetit ka ekzekutuar vendimin.

Në njoftim thuhet se, në tërësi nga veprimet procedurale të kryera deri në këtë fazë të hetimit ekzistojnë dyshime të arsyeshme se shtetasi Rexhe Byberi, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tropojë në bashkëpunim me shtetasin Abedin Kërrnaja me detyrë zv/kryetar i Bashkisë Tropojë, ka kryer veprime/mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës gjatë procesit  për hapjen e rrugëve sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak.

Vendim i Këshillit Bashkiak Nr. 34 datë 30.03.2021 Për miratimin në parim të projekt idesë së rrugës “Stacioni i Anijes Palç- Guri i Lules”, nga ku rezulton se është miratuar në parim Projekt ideja për ndërtimin e rrugës auto “Stacioni i Anijes Palç- Guri i Lules”, me një gjatësi 3.2km, totalisht ndërtim i ri i cili 80% të kësaj gjatësie kalon nëpër rrugën këmbësore ekzistuese.

Këto punime janë bërë në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore të cituara më sipër. Konkretisht për kryerjen e punimeve të cituara më sipër, në bazë të VKM-së 408 datë 13.05.2015 (e ndryshuar) për hapjen e një rrugë të re subjekti i interesuar duhej të aplikonte në sistemin elektronik e-leje, pranë Bashkisë Tropojë, si institucion vendor që ka tagrin të shqyrtojë dhe miratojë lejen e ndërtimit të infrastrukturës, pasi të ketë verifikuar plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm tekniko-ligjor nga aplikuesi që parashikon legjislacioni për këto lloj punimesh.

Konkretisht në nenin 15 të VKM nr. 408 datë 13.05.2015 (e ndryshuar) janë saktësuar dokumentet tekniko-ligjor që duhen depozituar në sistemin e-leje, gjatë aplikimit të kërkesës për leje ndërtimi të infrastrukturës. Gjithashtu, Bashkia Tropojë duhej të bashkëvepronte me institucionet e tjera kompetente për ndërtimin e rrugës sic janë: Agjencia Kombëtare e Mjedisit, për nevojën e hartimit të Raportit  të Vlerësimit të ndikimit në mjedis, të bashkëvepronte me Ministrinë e Linjës (parashikuar në sistemin elektronik e-leje) për impaktin e ndërtimit të rrugës së re dhe pasojat e këtyre punimeve të ndërtimit. Ky bashkëveprim parashikohet në nenin 20, pika 6 të VKM nr. 408 datë 13.05.2015 (e ndryshuar).

Në kuadër të veprimeve hetimore, nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është caktuar kryerja e aktit të ekspertimit teknik-topografik. Nga kryerja e aktit të ekspertimit ka rezultuar se hapja e rrugëve sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak është bërë në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore në fuqi duke sjellë një dëm prej 277. 611.520 (dyqind e shtatëdhjetë e shtatëmilion e gjashtëqind e njëmbëdhjetëmijë e pesëqind e njëzet) Lekë.

Një vit më parë, banorët e Njësisë Administrative Fierzë kanë kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) kryetarin e Bashkisë Tropojë.

Sipas banorëve të zonës, kryebashkiaku ka favorizuar kushërinjtë e tij në lidhje me një gurore në zonë, në kundërshtim të hapur të ligjit për konfliktin e interesit.

Në denoncimin e firmosur nga 320 banorë të zonës, është kallëzuar në SPAK edhe përfaqësuesi i firmës së gurores Avni Byberi, si dhe shef i komisaritatit të Tropojës, Përparim Allmuça.

Kjo me akuzën e “Korrupsionit pasiv e aktiv i fuksionarit të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurit vendor”.

Banorët e Fierzës kallëzojnë në SPAK kryetarin e Bashkisë Tropojë