Kosova

Arifi: Qeveria Kurti koordinohet me ata që ShBA i ka shpallë non-grata, por ndërprenë kontaktin me liderët e Luginës


Kryetari i Komunes se Presheves, Shqiprim Arifi.

Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka reaguar pas publikimit të audio incizimeve ku shfaqin shefen e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila duke koordinuar politika shtetërore me kriminelin dhe terroristin Milan Radojiçiç, duke thënë se Qeveria Kurti koordinohet me ata që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë shpallur non-grata, por se refuzojnë që të bashkëpunojnë me liderët e Luginës.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social “Facebook”, Arifi ka thënë se “nga përgjimet e fundit faktizohet se Qeveria Kurti koordinon dhe sinkronizon aktivitetet me bandat në Veri të Kosovës përmes Listës Serbe edhe me personin e shpallur Non-Grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Ndërkaq, me liderët e Luginës së Preshevës, kjo qeveri ka ndërprerë kontaktin e drejtpërdrejtë duke mirëpritur konspiracione dhe ngritur komplote antidemokratike nga këshilltari i izoluar i Kuvendit Komunal në Preshevë, kështu për të shkelur mbi vullnetin politik të shqiptarëve të Komunës së Preshevës, ku edhe rrezikohet destabilizimi i Luginës së Preshevës”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Të gjithë, thotë ai “e aq më shumë partnerët ndërkombëtarë e kanë kuptuar boshtin e politikës strategjike të kësaj Qeverie!”.

“Nuk e kuptoj dot, si arritëm nga ‘Jo-Negociata, Vetëvendosje’ në parimin e ‘Reciprocitetit’ e deri tek negociatat me Listën Serbe për politikat që tangojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në Kuvendin e Republikës”, shtoi ai.

Tutje, ai potencon se “për Altarin e Lirisë nuk negociohet sot as kurrë, as me Milanin (Radojiçiç) veç për ‘2-3 Minuta’”.

Ndryshe, Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizje Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, pranoi – një ditë më parë –  se ka biseduar vetëm “2-3 minuta” dhe jo më shumë me kriminelin dhe terroristin, Milan Radojiçiç, person në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i ikur nga drejtësia në Kosovë, por në pjesën e dytë të përgjimeve të publikuara nga Nacionale.com, del se ajo ka biseduar me këtë të fundit pesë herë.

“Njëherë keni biseduar gjatë, kur keni biseduar për energji në Veri, a mban mend?”, pyet fillimisht ish-deputeti i Listës Serbe, Igor Simiç.

“Po, për rrymën në Veri”, ia kthen Kusari-Lila.

Simiçi me tej në audio-incizimin e publikuar i thotë Kusarit “se do t’i thyhej koka edhe asaj edhe kryeministrit Kurti”, po në rast se një informacion i tillë –  pra biseda me një person me të kaluar kriminale – të publikohej në media.

“Paramendoje sikur të kisha dal përpara mediave, dhe të them që Mimoza ka thënë, seriozisht të them, se jo ty, por edhe kryeministrit do t’i thyhej koka, të gjithëve me rend, nëse do ta thoja këtë. Je dëgjuar pesë herë me Milanin”, shton Simiç.

Edhe pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë të detajizuar kishin shpjeguar arsyet e shpalljes së Milan Radojiçiç si “persona non-grata”, në pjesën e dytë të përgjimit, ku dëgjohet biseda e shefes së grupit parlamentar të LVV-së dhe nënkryetarit të Listës Serbe, Kusari interesohet se për çfarë arsyesh e kanë vënë në listë të zezë amerikanët, Radojiçiç-in, dhe se pse Lista Serbe nuk po ia shpreh shqetësimet për këtë çështje, ambasadorit amerikan.

Mimoza Kusari-Lila gënjeu, me “Radojiçiç-in foli 5 herë”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore