Stil

Ariana Grande, Billie Eilish dhe Miley Cyrus dënojnë planin e Gjykatës së Lartë për të rrëzuar ligjin ‘Roe v. Wade’


Miley Cyrus, Billie Eilish, Selena Gomez dhe Ariana Grande.

Ariana Grande, Miley Cyrus, Billie Eilish dhe Selena Gomez janë vetëm disa nga 160 artistët që kanë nënshkruar për të mbështetur fushatën #BansOffOurBodies të organizatës Planned Parenthood.

Ato dënojnë draft opinionin e zbuluar të Gjykatës së Lartë që kërcënon përmbysjen e të drejtave të abortit në Shtetet e Bashkuara.

“Gjykata e Lartë po planifikon të rrëzojë ligjin Roe v. Wade, duke hequr të drejtën kushtetuese për abortin”, shënon letra.

Estrada po i inkurajon fansat e tyre që të bashkohen me ta për të folur në mbështetje të së drejtës për të pasur akses në kujdesin shëndetësor seksual dhe riprodhues, përfshirë këtu edhe abortin.

“Fuqia jonë për të planifikuar të ardhmen tonë dhe për të kontrolluar trupin tonë varet nga aftësia jonë për të pasur akses në kujdesin shëndetësor seksual dhe riprodhues, duke përfshirë abortin”.

Gjykata e Lartë, SHBA

Qindra mijëra njerëz pritet të dalin në mitingje, marshime dhe ngjarje në të gjithë vendin në mbështetje të të drejtave të abortit. Ngjarjet organizohen nga organizatat: Planned Parenthood, Women’s March, UltraViolet, MoveOn, Liberate Abortion, SEIU dhe partnerë të tjerë kombëtarë.

“Nëse Gjykata e Lartë heq të drejtën kushtetuese për abort të sigurt dhe të ligjshëm, të rinjtë do të humbasin më shumë”, tha në një deklaratë Alexis McGill Johnson, President dhe CEO i Federatës së Planifikuar Prindërore të Amerikës.

“Shumë prej nesh – të cilët u rritëm me të kuptuarit se Roe ishte një ligj i vendosur – nuk mund ta imagjinonim kurrë se fëmijët tanë do të kishin më pak të drejta dhe më pak liri mbi trupin dhe të ardhmen e tyre”.

“Ajo që shohim te të rinjtë nga të gjitha sferat e jetës është se ata nuk tërhiqen – as sot, as kurrë. Ashtu si artistët që nënshkruan këtë reklamë, vendosmëria e tyre për të mbajtur ndalimet jashtë trupit të tyre është një burim shprese gjatë një kohe të errët dhe ne jemi të vendosur të vazhdojmë të luftojmë përkrah tyre, për ta”, ka thënë Johnson.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore