Boterori 2022

Argjentina afër trofeut, e mbyll me dy gola epërsi pjesën e parë të finales


Argjentina është shumë afër trofeut të Kupës së Botës, pasi që në finale është duke e mposhtur Francën me rezultat 2:0.

Ndeshja nisi me një ritëm dukshëm më të lartë të argjentinasve, të cilët kërkonin vazhdimisht golin.

Angel Di Maria e pati një rast shumë të mirë në minutën e 18-të, por në hyrje të zonës ai goditi mbi portë.

Ndërkohë, në aksionin pasardhës, Di Maria e fiton një penallti, pasi në zonë u shty nga Ousmane Dembele.

Si zakonisht, Lionel Messi e mori përsipër për ta ekzekutuar 11-metërshin, duke u treguar i saktë për 1:0.

Ky ishte goli i gjashtë i Messi-t në këtë Botëror, ndërsa 12 ka realizuar në total në të gjitha Kampionatet e Botës ku ka marrë pjesë.

Pas këtij momenti, argjentinasit nuk u ndalën duke e kërkuar edhe golin e dytë.

Dhe, atë e gjetën në minutën e 36-të, kur pas një kundërsulmi fantastik, Alexis Mac Allister e gjen krejtësisht të vetëm Angel Di Maria-n, i cili me një parabolë të lehtë shënoi për 2:0.

Deri në fund të pjesës së parë raste konkrete më nuk pati, por duhet theksuar se trajneri i Francës, Didier Deschamps ka bërë dy zëvendësime.

Ka larguar nga loja Olivier Giroud dhe Ousmane Dembele, i futi Marcus Thuram dhe Randal Kolo Muani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore