Sport

Ardhja e Casemiro-s bën që mesfushori të largohet nga United-i pas pesë vitesh


Casemiro iu bashkua Manchester United-it nga Real Madrid-i për shumën e 70 milionë eurove.

Me ardhjen e brazilianit, mesfushori tjetër i “djajve të kuq”, Scott McTominay, nuk pritet të ketë vend në formacion, andaj me shumë gjasë ai do të largohet gjatë kësaj vere.

Sipas asaj që shkruajnë mediat britanike, 25-vjeçari ka shfaqur dëshirën drejtuesve që të largohet qoftë edhe në huazim këtë sezon, duke qenë se në formacionin e Manchester United nuk ka më vend për të.

Mediat në Angli shkruajnë se të paktën pesë klube të Premier League-s janë gati ta transferojnë mesfushorin skocez, qoftë në huazim, apo ta blejnë plotësisht kartonin e tij.

Newcastle, Everton, West Ham, Leicester e Southampton janë skuadrat që kanë nisur kontaktet me menaxherët e McTominay.

Sipas disa mediumeve angleze, destinacioni i McTominay do të jetë West Ham-i, aty ku do të bashkohej me trajnerin skocez, David Moyes.

Kujtojmë që mesfushori është produkt i akademisë së Manchester United-it, i cili që nga viti 2017 ka luajtur për skuadrën e parë.

Kontrata e tij aktuale skadon në verën e vitit 2025, por kjo nuk shihet si problem për t’u huazuar te ndonjë klub tjetër.

McTominay në total numëron 176 ndeshje me fanellën e kuqe, prej të cilave ka shënuar 16 gola.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore