Lajme

Arabia Saudite dërgon një delegacion të lartë në “Summer Davos” të Kinës


Arabia Saudite do të dërgojë një nga delegacionet më të mëdha zyrtare në “Summer Davos” të kësaj jave në Kinë.

Kjo teksa Pekini thellon bashkëpunimin me Lindjen e Mesme për të rindezur ekonominë e dytë më të madhe në botë pas tre viteve të kufizimeve të COVID-it.

Pjesëmarrja e delegacionit prej 24 vetash, i cili do të përfshijë gjashtë ministra dhe zëvendësministra, në ngjarjen e parë të Forumit Ekonomik Botëror në Kinë në tre vjet, vjen pasi të dy vendet kërkojnë partnerë alternativë investimi në Perëndim.

Delegacioni i Arabisë Saudite në Takimin Vjetor të Kampionëve të Ri, i cili do të mbahet në qytetin port verilindor të Tianjin dhe njihet si “Summer Davos”, do të udhëhiqet nga ministri i Ekonomisë Faisal Alibrahim dhe ministri i Komunikimit dhe Teknologjisë së Informacionit Abdullah Alswaha.

Arabia Saudite është furnizuesi më i madh i naftës i Kinës dhe Kina është partneri kryesor tregtar i mbretërisë, me tregti dypalëshe prej 116 miliardë dollarësh në vitin 2022, nga 87 miliardë dollarë një vit më parë.

Arabia Saudite është e prirur të marrë ndihmën kineze për të diversifikuar ekonominë dhe dëshiron investime përtej sektorëve tradicionalë të naftës, rafinimit dhe telekomunikacionit, në industri që variojnë nga çeliku në platformat e internetit, lojërat dhe turizmi.

“Duke pasur parasysh përmasat e mëdha të tregut arab, veçanërisht të Arabisë Saudite, ky trend i investimeve ndërkufitare mundet të jetë në përfitim për kompanitë kineze”, ka thënë profesori Winston Ma.

Duke nisur me një fjalim nga Kryeministri Li Qiang, politikani i dytë i Kinës pas Presidentit Xi Jinping, takimi vjen ndërsa ekonomia e Kinës po përpiqet të organizojë një rikuperim të fuqishëm nga COVID-i.

Po ashtu Pekini po lufton me tensionin në rritje me SHBA-të mbi Tajvanin, kontrollet e eksportit të Washington-it për mallrat e teknologjisë së lartë dhe luftën në Ukrainë, e cila po rëndon besimin e investitorëve, sipas analistëve.

Riadi është i prirur të shikojë përtej partneritetit të tij tradicional me Perëndimin dhe të forcojë tregtinë me Azinë, veçanërisht Kinën.

Disa nga kompanitë më të mëdha të vendit, si PetroChina dhe grupi i telekomunikacionit Huawei, janë tashmë të pranishme në Arabinë Saudite.

Marrëdhëniet me Kinën u forcuan nga një vizitë shtetërore në mbretëri nga Xi në dhjetor.

Princi i kurorës saudit Mohammed bin Salman dëshiron të diversifikojë ekonominë e vendit të dominuar nga nafta në fusha të tilla si shëndetësia, infrastruktura, ekonomia digjitale dhe turizmi.

Sipas programit, prodhuesi më i madh kinez i çelikut Baowu Steel zbuloi në maj një plan për të paguar 437.5 milionë dollarë për një 50 për qind të aksioneve në një sipërmarrje të përbashkët me Saudi Aramco dhe Fondin Sovran të Investimeve Publike.

Në investime të tjera dypalëshe, Ministria e Investimeve të Arabisë Saudite në prill ftoi operatorin kinez të parkut tematik Haichang Ocean Park për të investuar në një strukturë të re në vend, ndërsa kompania kineze e gjenetikës BGI hapi një laborator testimi në Riad këtë muaj.

J&T Express, një grup shpërndarjeje parcelash i mbështetur nga Kina që u zgjerua në Riad një vit më parë, është rritur me shpejtësi dhe po aplikon për një listë deri në 1 miliard dollarë në Hong Kong këtë muaj.

Jessica Wong, partnere menaxhuese në eWTP Arabia Capital, një nga fondet më të mëdha të kapitalit privat të Arabisë Saudite, ka thënë se mbretëria po kërkonte një lokalizim më të madh të shërbimeve digjitale dhe të infrastrukturës sesa ajo që ishte ofruar nga kompanitë perëndimore.

“Në secilin segment, kompanitë perëndimore kanë një pjesë tregu prej 80 deri në 90 për qind, por të gjitha e injoruan lokalizimin”, ka shtuar Wong.

Sipas saj, tregu dëshiron dikë që respekton zakonet e tyre të përdoruesve dhe jo gjithmonë kërkon një çmim të lartë.

Duke u fokusuar në lokalizimin e shërbimeve digjitale kineze në Arabinë Saudite, fondet e Wong mblodhën 400 milionë dollarë në vitin 2019, 300 milionë prej të cilave erdhën nga Fondi i Investimeve Publike.

Një raund i dytë i mbledhjes së fondeve ka të ngjarë të mbyllet në 1 miliard dollarë deri në fund të këtij viti.

Duke ndjerë rritjen e mundshme, sipërmarrësit kinezë u dyndën në një forum biznesi arabo-kinez këtë muaj. Gjysma e të pranishmëve kinezë po vizitonin Riadin për herë të parë, sipas të pranishmëve.

Vizitat zyrtare të delegacioneve nga qytetet kineze si Pekini dhe Xiamen po lulëzojnë gjithashtu.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore