Pajisje

Apple tejkalon vlerësimet, raporton shitje rekord


Kompania Apple ka raportuar shitje rekord në tremujorin e festave, duke tejkaluar vlerësimet.

Kjo teksa ka përfituar nga kërkesa e lartë për iPhone në Kinë dhe përballimi i kufizimeve të shkaktuara nga ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit dhe varianti Omicron.

Agjencia “The Guardian” tregon se drejtori i përgjithshëm Tim Cook ka paralajmëruar në tetor se mungesa e çipave po ndikonte në prodhimin e shumicës së produkteve dhe mund të çonte në mbi gjashtë miliardë dollarë humbje.

Mirëpo, ndodhi e kundërta. Kompania festoi një tremujor të suksesshëm përmes një telefonate me investitorët.

“Pavarësisht pasigurisë së botës, ka një gjë për të cilën jam i sigurt: Apple do të vazhdojë të përmirësohet çdo ditë dhe në çdo mënyrë për të përmbushur premtimin e teknologjisë në mënyrën më të mirë të saj”, ka thënë ai.

Sipas kompanisë, ajo kishte të ardhura rekord të të gjitha kohërave prej 123.9 miliardë dollarë, 11 për qind më shumë se vitin e kaluar dhe më e lartë se vlerësimi mesatar i analistëve prej 118.7 miliardë dollarësh.

Ekzekutivët ia atribuuan këtë suksesit të produkteve, duke raportuar shitje rekord të iPhone-it në fund të vitit 2021.

Gjithashtu kompania amerikane prezantoi disa produkte të reja në vjeshtë, duke përfshirë modelet e reja të Apple Watch, iPad, kompjuterin MacBook Pro dhe AirPods.

“Përgjigja shumë e fortë e klientëve ndaj lançimit të fundit të produkteve dhe shërbimeve të reja nxiti rritje dyshifrore të të ardhurave dhe fitimeve dhe ndihmoi në vendosjen e një niveli maksimal të të gjitha kohërave për bazën tonë të instaluar të pajisjeve aktive”, ka thënë Luca Maestri nga Apple.

Tremujori i suksesshëm tregon se Apple-i është më rezistent se kompanitë e tjera të teknologjisë ndaj kufizimeve, ka dalluar Tom Johnson, shef digjital në agjencinë mediatike Mindshare Worldwide.

Megjithatë, kompania përballet me pengesa në formën e shqetësimeve të vazhdueshme për COVID-19. Rritja e variantit Omicron e ka detyruar kompaninë të mbyllte një numër dyqanesh, si dhe zyrat e korporatave.

Edhe legjislacioni antitrust është gjithashtu një telash për kompaninë, pasi Tim Cook vazhdon të lobojë në mënyrë agresive kundër një numri gjobash të reja.

Sipas “The Guardian”, ky tremujor i suksesshëm vjen pas një raporti rekord të fitimeve nga kompania Tesla. Të dyja tregojnë se sektori i teknologjisë mund të jetë në përmirësim pas një sërë tremujorësh të dobët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore