Aplikacione

Apple-i ruan të dhënat e klientëve kinezë në qendrat e Kinës


Kompania amerikane e teknologjisë, Apple, ka konfirmuar se po ruan të dhënat e klientëve kinezë brenda qendrave të të dhënave me bazë në Kinë.

Agjencia e lajmeve, BBC, tregon se kjo nuk e ka cenuar sigurinë e përdoruesve pasi “nuk kishte kompromentuar kurrë sigurinë” as të klientëve dhe as të të dhënave të tyre.

Për këtë, kompania ka deklaruar se ka ecur paralel me ligjin, në përputhje me ligjin kinez mbi ruajtjen e të dhënave të shtetasve të vet.

Mirëpo, një ekspert ka thënë për BBC se në të vërtetë Apple-i “po i dorëzonte çelësat” qeverisë kineze duke vepruar në këtë mënyrë.

Dhe ky nuk është rasti i vetëm pasi Kina është akuzuar prej kohësh për përdorimin e teknologjisë në ndjekjen e qytetarëve të saj dhe për qëllimin e mbikëqyrjes masive.

Michael Posner, drejtor i Qendrës për Biznes dhe të Drejtave të Njeriut në Universitetin e New York-ut, është shprehur se duke vendosur të dhënat e koduara në server-at brenda vendit, Apple-i është “duke luajtur sipas rregullave kineze”.

Nga ana tjetër, kompania amerikane ka pohuar se është në përputhje me të gjitha ligjet e të gjitha vendeve në të cilat është e pranishme.

“Ne ruajmë kontrollin e çelësave të enkriptimit për të dhënat e përdoruesve tanë dhe çdo qendër e re e të dhënave që ne ndërtojmë, na jep mundësinë të përdorim teknologjinë më të përparuar të Apple-it dhe teknologjitë e sigurisë për të mbrojtur ato çelësa”, ka thënë kompania në një deklaratë të saj.

Apple-i ka shtuar se “për më tepër, ne i trajtojmë kërkesat e zbatimit të ligjit në Kinë përmes procesit të duhur ligjor, ashtu si veprojmë kudo tjetër dhe ne raportojmë rregullisht dhe në mënyrë transparente rastet kur jemi të detyruar të sigurojmë informacionin e përdoruesit”.

Jo më larg se muaji dhjetor i vitit 2020, Apple-i hoqi afro 46 mijë aplikacione nga dyqani i saj kinez i aplikacioneve. Kjo pas një afati të caktuar nga shteti.

Shumica prej tyre i përkisnin kategorisë së lojërave, të cilat kërkonin një licencë zyrtare në mënyrë që të disponoheshin në vend.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore