Aplikacione

Apple dhe Google këshillohen që të heqin TikTok nga dyqanet e tyre të aplikacioneve


Komisioneri i Komisionit Federal të Komunikimeve (FCC) në SHBA kërkon që kompanitë teknologjike Apple dhe Google të heqin TikTok-un nga dyqanet e tyre të aplikacioneve.

Kjo, për shkak të shqetësimeve për sigurinë kombëtare që rrethojnë kompaninë mëmë të TikTok-ut me bazë në Kinë, “ByteDance”.

Në një letër të datës 24 qershor drejtuar drejtorëve ekzekutiv (CEO) të Apple dhe Google, komisioneri i FCC, Brendan Carr, e përshkroi ByteDance-n si “të varur” nga qeveria kineze dhe “i kërkohet me ligj që të pajtohet me qeverinë kineze”.

Duke cituar një raport të fundit të medias amerikane BuzzFeed News se stafi kinez i ByteDance kishte hyrë në të dhënat e përdoruesve të TikTok në SHBA në shumë raste, Carr tha se akuzat treguan se si TikTok “nuk u përputhet politikave që të dyja kompanitë kërkojnë që çdo aplikacion t’u përmbahet”.

Në një deklaratë, TikTok e quajti raportin e BuzzFeed “mashtrues”.

Për vite me radhë, zyrtarët amerikanë kanë shprehur shqetësime se qasja e qeverisë kineze në të dhënat ose komunikimet e përdoruesve amerikanë mund të rrezikojë sigurinë kombëtare.

FCC nuk luan asnjë rol në rregullimin e shërbimeve të bazuara në internet, siç janë dyqanet e aplikacioneve, dhe përpjekjet e mëparshme të qeverisë amerikane për të ndaluar TikTok nga dyqanet e aplikacioneve amerikane kanë dështuar mes sfidave gjyqësore.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore