Shqipëria

Aplikimet e shtetasve shqiptarë për azil bien me 24% në tremujorin e parë


Në vitet 2022 dhe 2023, një pjesë relativisht e madhe e shqiptarëve zgjodhën të largohen nga vendi, duke shënuar nivelet më të larta të emigracionit të pas pandemisë.

Ndërkohë, në muajt e parë të këtij viti, tendenca është ngadalësuar.

Referuar Eurostat-it, në tre muajt e parë të këtij viti ka pasur gjithsej 2 mijë e 50 aplikime për azil nga shtetasit shqiptarë në një nga vendet e Bashkimit Evropian.

Aplikimet – në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë – kanë rënë me 24 për qind. Çka ka shënuar nivelin më të ulët që nga pandemia, ndërkohë që janë më pak sesa gjysma e të njëjtës periudhë të vitit 2019.

Franca vijon të mbetet destinacioni kryesor ku shtetasit shqiptarë drejtohen për të kërkuar azil për shkak të lehtësive sociale që ofron, paçka se ritmet po bien ndjeshëm.

Në tremujorin e parë kishte gjithsej 655 aplikime drejt këtij shteti, ndryshe 32 për qind e totalit.

Por në raport me të njëjtë periudhë të një vit më parë, aplikimet në Francë kanë rënë me 38 për qind.

E dyta është Gjermania, me 485 aplikime. Mirëpo edhe drejt Gjermanisë është shënuar një rënie e fluksit të azilantëve me 22 për qind.

Kurse kërkesat drejt Italisë mbeten të qëndrueshme. Janë reduktuar me vetëm 5 për qind.

Në Itali kishte gjithsej 445 aplikime, ose ndryshe 22 për qind e totalit.

Në mars 2024 – referuar Eurostat-it -73 mijë e 445 qytetarë jo të BE-së aplikuan për azil për herë të parë për mbrojtje ndërkombëtare në vendet e BE-së, një rënie prej 12 për qind krahasuar me marsin e vitit të kaluar.

Kishte edhe 7 mijë e 50 aplikime përsëritëse, që përfaqësonin një rënie prej 6 për qind krahasuar me marsin 2023.

Ndërkaq, sirianët mbetën grupi më i madh i njerëzve që kërkojnë azil, ndjekur nga afganët dhe venezuelasit.

Gjermania, Italia, Spanja dhe Franca vazhduan të marrin numrin më të madh të aplikimeve për herë të parë për azil, duke përbërë 75 për qind të të gjithë aplikimeve për herë të parë në BE.

Në mars 2024, totali i BE-së i aplikimeve për herë të parë për azil ishte 16.4 për 100 mijë njerëz.

Krahasuar me popullsinë e çdo vendi të BE-së, normat më të larta të aplikimeve për herë të parë u regjistruan në Qipro dhe Greqi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore