Apeli vendos më 1 korrik për Paplekajn, dëshmia: Vrasje për vetëmbrojtje

SHFLETO
Rajmonda Basha
21.06.2024 15:57
Loading Icons...

Gjykata e Apelit do të shpallë vendimin më 1 korrik për Arbër Paplekajn  i dënuar me 22 vite burg për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan.

Në seancën e së premtes mbrojtja e Paplekajt paraqiti konkluzionet përfundimtare duke kërkuar edhe rikualifikim të veprës penale.

Po kështu pala mbrojtëse pretendoi se, faktet e paraqitura në Shkallën e Parë në gjykatën e Elbasanit nuk ishin të vërteta. Sipas avokatit Marash Martini pas kryejes së ekzpertizave të reja mes të cilave edhe rindërtimi I skemës së vrasjes, gjykata e apelit e ka më të lehtë për të dhënë një vendim të drejtë.

Gjithashtu referuar pamjeve të kamerave të sigurisë shihet se Paplekaj, ka reaguar në momentin që është plagosur shoku i tij dhe kur i është drejtuar arma, duke pretenduar se reagimi lidhet me kushtet e vetëmbrojtjes.

Nga ana tjetër prokuroria kërkoi të qëndrojë në fuqi dënimi me 22 vite burg për Paplekajn ndërsa seanca e radhës ku do të shpallet edhe vendimi do të mbahet më 1 korrik në orën 14:00.

Vrasja e Pjerin Xhuvanit e gjeti Elbasanin dhe gjithë Shqipërinë të tronditur, pasi pati edhe një sfond elektoral.

Gjithçka ndodhi vetëm katër ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, ku mbeti i vdekur Pjerin Xhuvani.

Arbër Paplekaj, ish-punonjës i forcave RENEA dhe shoqërues i kandidatit demokrat për deputet në Elbasan, Gazment Bardhi, qëlloi për vdekje Pjerin Xhuvanin, ish-drejtues i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Elbasan.

Katër të tjerë u plagosën në vendngjarje, ndër të cilët një efektive e forcave “Shqiponja”.

Gjithë Shqipëria i ktheu sytë nga kjo ngjarje e rëndë, duke zhvendosur edhe vëmendjen e fushatës zgjedhore.