Shqipëria

Apeli shtyn seancën për Fredi Belerin


Gjykata e Posaçme e Apelit ka shtyrë për në datë 24 janar shqyrtimin e ankimit të Fredi Belerit kundër vendimit që i refuzoi lejen e posaçme për t’u betuar si kryebashkiak.

Seanca e kësaj të hëne në Apel mësohet se ka dështuar pasi përfaqësuesi ligjor i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve ka qenë pa prokurë.

Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, pasi u kap në flagrancë bashkë më bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi duke blerë vota.

Ai nuk ka mundur të marrë detyrën, pasi autoritetet gjyqësore nuk i dhanë leje për të kryer betimin.

Kryebashkiaku – i cili ndodhet në burg – akuzohet për blerje votash për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.

Ai u arrestua 2 ditë para zgjedhjeve vendore dhe që prej atëherë vijon të qëndrojë në paraburgim.

Ndërkaq, vetëm disa javë më parë Gjykata ka vendosur të mos e lejojë kreun e zgjedhur të Bashkisë Himarë që të betohet në krye të institucionit administrativ bregdetar.

Vetë Beleri, në seancën e zhvilluar, artikuloi se ndaj tij po bëhet një padrejtësi për interesa politike dhe financiare.

“Zgjatja, shtyrja, përcjellja nga gjykata në gjykatë, veprimet tuaja për shtyrje të seancës nuk janë mënyra e duhur e gjykatës për të dhënë drejtësi”, përmendi Beleri.

Ai shtoi se së bashku me familjen, po dëmtohen dhe po shkaktohen shumë qëndrime armiqësore, duke i ndarë qytetarët në “grekë dhe jo grekë”.

“Mbështetja e qytetarëve të Himarës më ka dhënë force. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”, ka përmbyllur ai.

Por çështja shkon edhe përtej konsumit të brendshëm, pasi tashmë duhet parë edhe qëndrimi i Athinës zyrtare në raport me këtë zhvillim, pas kërcënimeve të vazhdueshme se mund të vendoset një veto në hapjen e kapitujve të parë negociues të Tiranës me Bashkimin Evropian.

Kjo gjithsesi mbetet për t’u parë në mbledhjen që pritet të zhvillohet në Bruksel, ku kryeministri Rama do të jetë i pranishëm për të marrë edhe raportin nga Evropa, lidhur me çështjen e negociatave.

Beleri prej kohësh ka kërkuar të betohet si kryetar i Bashkisë Himarë, por kjo nismë e tij është në ngërç tërësor dhe së fundmi, një pengesë e radhës burokratike është ajo nga Gjykata e Lartë, e cila ka vendosur se nuk është kompetente për trajtimin e kësaj kërkesë Gjykata e Durrësit, por ajo e posaçme GJKKO.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore