Shqipëria

Apeli rrëzon kërkesën e Erzen Breçanit për heqjen e sekuestros


Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar kërkesën e Erzen Breçanit për të hequr sekuestron preventive nga Hidrocentrali Drita.

Ky vendim është marrë këtë të hënë nga gjyqtari Engert Pëllumbi.

Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur miratimin e vendimit nr. 465, datë 24.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Sakaq, bëhet me dije se kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 ditëve nga e nesërmja e njoftimit tij.

Sekuestrot janë vendosur pasi SPAK dyshon se pasuritë janë ngritur nga aktiviteti kriminal i trafikut të drogës.

Ish-drejtuesi i lartë i policisë Erzen Breçani u arrestua pas zbardhjes së disa bisedave ne aplikacionin SKY ECC, ku në pranga përfunduan disa persona, mes tyre edhe shefi i hetimit të krimeve Dedan Gjoni.

Në dëshminë e tij të dhënë në gjyq, Breçani deklaroi se nuk kishte marrë para nga djali i tij dhe as nga Ervin Mata.

Po ashtu mohoi të kishte dijeni mbi aktivitetin kriminal të Eralbi Breçanit, i cili ishte pjesë e grupit që trafikonte kokainë nga Amerika Latine drejt Evropës.

Prokuroria e Posaçme SPAK ka sekuestruar HEC-in “Drita” në pronësi të Erzen Breçanit dhe familjarëve të tij.

Ndërkohë, Ervin Matës i janë sekuestruar llogari bankare, automjete, si dhe janë duke vijuar hetimet për prona të tjera në emër të tyre apo familjarëve.

Në Apelin e Posaçëm, të premten e 19 janarit, do të shqyrtohej ankimi që kanë bërë avokatët e personave të akuzuar, lidhur me kundërshtimin e sekuestros.

Mirëpo, seanca u shty.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore