Shqipëria

Apeli i Posaçëm ndryshon vendimin për të dënuarin Endi Braçaj


Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka ndryshuar të hënën e 16 shtatorit vendimin për të dënuarin Endi Braçaj.

Prej muajit maj, ai ishte dënuar nga shkalla e parë e GJKKO-së me 7 vite e 6 muaj burg, nën akuzën për grup kriminal dhe trafik droge.

Apeli i Posaçëm ka bërë me dije se dy dënimet “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Grupi i struktuar kriminal”, do të bashkohen në një të vetëm duke shkuar në dhjetë vite burgim.

Braçaj do të përfitojë uljen e masës me një të tretën duke u dënuar përfundimisht me gjashtë vjet e tetë muaj burgim.

Sipas njoftimit zyrtar, vuajtja e dënimit do të kryhet në IEVP-në e sigurisë së lartë.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), paraqiti më herët pranë gjykatës kërkesën për gjykimin e Braçajt, i cili akuzohej për veprat penale “Prodhimin dhe shitjen e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore