Shqipëria

Apeli i Posaçëm lë në burg ish-shefin e Komisariatit të Laçit


Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën “arrest në burg” të GJKKO-s ndaj Dritan Metaj, ish-shefi i Komisariatit të Laçit.

Trupi gjykues monokratik i përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja shpalli vendimin e institucionit të drejtësisë të hënën e 30 tetorit pas ankimit të paraqitur nga Metaj.

Kujtojmë që ish-zyrtari i policisë, u arrestua pasi bashkëpunoi me grupin e trafikantëve të drogës, pjesë e së cilës është dhe Gëzim Çela.

Në gjykatë mësohet se Metaj ka pranuar njohjen dhe takimet me Gëzim Çelën dhe i ka argumentuar me njohjen e mëparshme që ka pasur me të, pasi ka pranuar edhe fajësinë.

“Kam bërë gabim, por e kam bërë pasi e njihja më herët dhe nuk e shmangia dot”, mësohet të ketë thënë Metaj.

Çfarë ndodhi?

Javë më parë, Policia e Shtetit ndau detaje rreth mega-operacionit policor “Flakë në det”.

Referuar drejtorit të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, gjithçka ka nisur pas zbulimit të një rrjeti të trafikut të drogës në Patok, ku u pikasën dy mjete lundruese që shkëmbenin ‘mallin’.

Rrumbullaku ka bërë me dije se masa “arrest me burg” është lëshuar për shtetasit Gëzim Çela, Arben Dalipaj, Roland Guxo si dhe Dritan Metaj, shef i policisë Laç.

Ata akuzoheshin për trafik droge.

Ekzekutimi i masës është bërë vetëm për efektivin Meta, ndërsa personat e tjerë janë jashtë vendit.

Shtetasit që ndodheshin në velierë, i kanë vënë zjarrin mjetit lundrues, ndërsa personat që ndodheshin në bord, janë arrestuar.

“Ky operacion filloi pas njoftimit për lëvizjen e një mjeti lundrues nga Laguna Patoku në jug-perëndim. Ky mjet ka kontaktuar në det një tjetër mjet, dhe dy personat në dy mjete kanë shkëmbyer lëndë narkotike”, ka thënë ai.

Sipas tij, shtetasit në Velierë kur kanë konstatuar policinë, i kanë vënë zjarrin velierës dhe kanë tentuar të largohen me një barkë, por janë kapur në flagrancë.

Po ashtu janë arrestuar 4 shqiptarë dhe 2 ukrainas.

Ndërkohë, janë sekuestruar 23 kilogramë drogë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore