Lajme

Anulimi i shfaqjeve në Las Vegas, “momenti më i keq” në karrierën e Adele


Për vetë Adele, vendimi për të anuluar koncertet në Las Vegas ishte “momenti më i keq” në karrierën e saj.

Prandaj dhe është zotuar për mbajtjen e shfaqjeve të riplanifikuara për këtë vit.

Shtatë muaj pas anulimit, këngëtarja britanike ka treguar edhe arsyet pse u tërhoq vetëm 24 orë para se të dilte në skenë.

“Thjesht nuk kishte shpirt në të. Instalimi i skenës nuk ishte i duhuri. Ishte shumë i shkëputur nga unë dhe grupi im. I mungonte intimiteti”, ka thënë ajo.

Sipas saj, anulimi “ishte momenti më i keq në karrierën time deri tani… isha shumë e emocionuar për ato shfaqje, ishte shkatërruese”.

Nga ana tjetër, paçka sikletit të këtij anulimi, ajo është krenare që i ka qëndruar nevojave të saj artistike.

“Dy muajt e parë ishin vërtet të vështirë. Por më rriti vetëbesimin, sepse ishte një gjë shumë e guximshme për ta bërë. Dhe nuk mendoj se shumë njerëz do të kishin bërë atë që bëra unë”, ka vijuar këngëtarja.

Sakaq, shfaqjet e riplanifikuara “Weekends with Adele” do të zhvillohen në Caesars Palace nga nëntori deri në mars.

Për të, kjo është koha e duhur.

Skena e re synon të kapë intimitetin që ajo ndjeu se i mungonte janarin e kaluar.

“Dua të tregoj historinë e fillimit të karrierës sime deri tani. Gjithçka ka të bëjë me muzikën dhe është vërtet, vërtet nostalgjike. Do të jetë shumë bukur”, ka treguar ajo.

Pas një ndërprerjeje gjashtëvjeçare, Adele u kthye në qendër të vëmendjes në vitin 2021 me albumin e saj të katërt, 30.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore