Kosova

Anulimi i listës së çmimeve të barnave, “lojë e ndytë e Qeverisë” dhe “fitore për qytetarët”


Ilustrim.

Ndonëse, kërkesa e Rifat Latifit, në kohën sa ishte ministër i Shëndetësisë, ishte që Lista e Barnave Esenciale, të bëhet me kompetenca profesionale e shkencore për të njëjtën s’u arrite që të plotësoheshin këto standarde.

Mosplotësimi i këtyre kritereve dërgoi ekzekutivin deri në vendimin që ta anuloj listën e çmimeve të produkteve medicinale.

Për një pjesë të opozitës anulimi u konsiderua si “sukses i tyre”, e për një pjesë tjetër është për keqardhje “mashtrimi që pushteti dëshironte të bënte me këtë listë”.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një deklarim për mediat ka thënë se anulimi është për shkak të disa problemeve që janë vërejtur në këtë listë.

“Ka pas një listë e cila është dërguar, ka pas një komision i cili ka punuar me çmimet e këtyre listave, ka pas një afat ankese të vazhdueshme për t’u ankuar për këtë listë dhe në momentin e parë që unë i kam vërejtur disa probleme të tilla në listë kam kërkuar nga komisioni që të fillojë me procedura për anulim bashkë me komisionin e ankesave”.

Vitia, sqaroi se këto ankesa me pas rezultuan të sakta dhe dërguan deri tek vendimi që të anulohet lista.

“Komisioni i ka verifikuar tamam të qëlluara këto ankesa, ka propozuar që të anulohet, pastaj me kërkesën time edhe është anuluar kjo listë dhe tani komisioni gabimet teknike të vogla, gjëra të tilla që kanë ndodhur herën e parë, tash është duke i përmirësuar dhe është ka bëhet lista e re”, ka thënë Vitia.

Ishte fillimisht ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, që akuzoi Qeverinë e Kosovës për përfitime personale, pas anulimit të listës së çmimeve të produkteve medicinale.

Për Zemajn kjo ishte një “lojë e ndytë e Qeverisë”.

“Interesin e pacientit të varfër, kjo Qeveri e ka shkelur me dy këmbë, në vazhdimësi po abuzon me të. E kjo veç për shkak të akomodimit të interesave personale financiare dhe interesave të mafisë farmaceutike”, kishte shkruar Zemaj më 7 qershor.

Ndërsa, anëtari i Komisionit për Shëndetësi, njëherësh edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, deklaroi se vendimi për anulimin e listës së çmimeve të produkteve medicinale, duhet parë si “fitore për qytetarët”.

“Me këtë vendim u dëshmua dështimi i qeverisë Kurti në përpjekjen për të rritur çmimet e barnave në interes të kompanive të caktuara faramceutike dhe në dëm të pacientëve”.

“Ky anulim vjen pas reagimit të vazhdueshëm që kemi bërë pas publikimit të Listës së çmimeve të barnave, miratuar nga Qeveria Kurti e ku çmimet e publikuara të barnave ishin shumë më shtrenjtë se sa janë aktualisht në barnatore”, kishte shkruar ai më 7 qershor.

Ligji për çmimin e produkteve medicinale është miratuar në vitin 2023, por që kishte hyrë në fuqi në maj të 2024-të, kur edhe është publikuar çmimorja e barnave.

I njohur ndryshe si Ligji për çmimin e barnave, ky akt normativ ka për qëllim kursimin e xhepit të qytetarëve dhe mbrojtjen e tyre nga abuzimet me çmimet e larta për barna.

Në mungesë të zbatimit të Ligjit, barnat e njëjta vazhdojnë të shiten me çmime të ndryshme.

Ndryshe, që nga paslufta në Kosovë, asnjëherë spitalet publike në Kosovë nuk kanë arritur ta përmbushin listën esenciale të barnave 100 për qind.

Si rrjedhojë, vazhdimisht ka pasur mungesë të tyre dhe pacientët detyrimisht janë obliguar që gjatë trajtimit t’i blejnë vetë ato.

Një veprim duhet ta bëjë qeveria që t’i ulë ndjeshëm çmimet e barnave në Kosovë – por nuk po e bën

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore