Kosova

Anulimi i licencës: “Telekom Serbia” shpreson se ndërkombëtarët do marrin anën e saj si në rastin e “Klan Kosova”


Ilustrim

Drejtori i përgjithshëm i operatorit shtetëror të telekomunikacionit “Telekom Serbia”, Vladimir Luçiç, ka thënë të enjten se përveçse posedojnë “dy mjete juridike” kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës, autoritetet serbe shpresojnë që bashkësia ndërkombëtare të marrë anën e saj si në rastin e televizionit më të madh privat “Klan Kosova”.

Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), kompanisë “MTS d.o.o” – degë e operatorit shtetëror serb – ia ka hequr licencën e biznesit të premten e javës së kaluar, për shkak se “një anëtar i menaxhmentit të kompanisë në fjalë ka pasaportë të lëshuar nga Serbia” dhe shkeljes së rendit kushtetues të vendit në të cilin operon.

“Mjeti i parë juridik është të paraqesim ankesë brenda 30 ditëve në institucionin që ka anuluar certifikatën e biznesit, ndërsa mjeti i dytë është të kërkojmë nga gjykata në Prishtinë masë të përkohshme deri në vendimin gjyqësor”, ka thënë Luçiç në një prononcim për rrjetin evropian të lajmeve “Euronews”, programi në gjuhën serbe.

Kompania “MTS d.o.o” është themeluar në vitin 2015 me Marrëveshjen e Brukselit për telekomunikacionin e Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën patronazhin e Bashkimit Evropian, ndërsa licencën për të operuar sipas juridiksionit të Kosovës e pranoi pas një viti (2016).

“I kemi njoftuar disa herë, para së gjithash ambasadën amerikane në Prishtinë, po ashtu dihet se para dy muajsh e gjysmë kanë tentuar ta mbyllin televizionin Klan Kosova, median më të madhe opozitare, me të njëjtën arsye. Pastaj reagoi bashkësia ndërkombëtare dhe ata protestuan”, tha Luçiç.

Ndër të tjera, drejtori i operatorit shtetëror serb ka pretenduar se anulimi i shërbimeve celulare dhe televizive për personat që kanë lidhje me Serbinë, përveçse do të ishte një “mesazh katastrofik për të gjithë serbët”, një vendim i tillë do të kishte “pasoja të pariparueshme për mbijetesën e popullit serb në Kosovë”.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), më 6 korrik të këtij viti, ka themeluar komisionion për shqyrtimin e dosjeve të bizneseve, në veçanti të atyre me “dokumentacione të dyshimta” dhe me “emërtime anti-kushtetuese”, ku 48 biznese kanë rezultuar në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

MINT-i ia ka pezulluar certifikatën e biznesit edhe televizionit më të madh privat në vend “Klan Kosova”, me arsyetimin se në dokumentet e regjistrimit të bizenesit në fjalë, dy qytete të Kosovës – Peja dhe Gjakova – figuronin si pjesë e Serbisë, të shkruara gjithashtu në gjuhën serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore