Sport

Ansu Fati lëndohet përsëri, largohet i përlotur nga fusha


Talenti i Barcelonës, Ansu Fati, është një nga futbollistët më të pafat, i cili me t’u rikthyer në fushën e lojës, pësoi një tjetër dëmtim.

Fati u lëndua në ndeshjen e Kupës së Mbretit, në të cilën Barcelona u eliminua nga Athletic Bilbao, me rezultat 3:2 (pas kohës shtesë).

Ai la fushën e lojës mes lotëve në minutën e 95-të, kur Barça ishte duke barazuar me rezultat 2:2.

Dëmtimin e fundit, 19 vjeçari e pësoi në muajin nëntor të vitit të kaluar, i cili më pas mungoi për 12 ndeshje.

Sulmuesi anësor u rikthye të luante në javën e kaluar në El-Clasico, madje arriti që të shënojë një gol përballë Real Madrid-it.

Por, ndeshja ndaj Bilbao-s doli të jetë e pafat për talentin me prejardhje nga Guinea-Bissau, i cili tani duhet të përballet edhe me një dëmtim.

Kujtojmë që Fati shihej si një nga futbollistët më të talentuar në botë, i cili pritej të shkëlqente sidomos pas largimit të Messi-t nga Barcelona, por më shumë po qëndron në infermieri sesa në fushën e blertë.

Fati është futbollist i akademisë së klubit të Barcelonës, i cili debutoi me katalanasit më 25 gusht të vitit 2019 në ndeshjen ndaj Real Betis.

Ai deri më tani ka zhvilluar 53 ndeshje në të gjitha garat me fanellën “blaugrana”, prej të cilave ka shënuar 18 gola.

Fati gjithashtu përfaqëson edhe kombëtaren e Spanjës, me të cilët numëron katër ndeshje zyrtare, duke gjetur rrugën e rrjetës një herë.

Vlera e sulmuesit të talentuar anësor, sipas “transfermarkt” llogaritet të jetë 60 milionë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore