Muzikë

“Ani”, një këngë e re nga Tuna – me kë bashkëpunoi ajo kësaj here?


Këngëtarja shqiptare nga Maqedonia e Veriut, Tuna tanimë ka publikuar prurjen e saj më të re muzikore.

“Ani”, titullohet kënga më e re nga Tuna, derisa ky projekt shënon bashkëpunim e radhës të artistes – kësaj here me Markel Gogën.

Dyshja e artistëve, Tuna e Goga, i kanë bashkëngjitur prurjes së re edhe një video klip artistik përshtatur tekstit të këngës.

Kënga është publikuar në kanalin zyrtar të Tunës në YouTube dhe akoma pa u bërë 24 orë që prej plasimit, “Ani” ka grumbulluar afro 1 milion klikime.

Ky është projekti i tretë nga Tuna për këtë vit të rikthimit të saj në diskografinë shqiptare.

Në fund të muajit gusht ajo kishte publikuar video projektin muzikor “Qa bone”, që i solli asaj, mbi 2 milionë klikime në YouTube.

Por, hiti rikthyes i Tunës mbetet “I huj”, këngë të cilën e solli në bashkëpunim me ish të dashurin e saj të dikurshëm, rep artistin, Cozman.

Kënga “I huj” e publikuar në muajin prill të këtij viti ka marrë shpejt epitetin e të qenit hit, derisa aktualisht numëron pothuajse 14 milionë klikime në YouTube.

Kjo nuk ishte hera e parë që Tuna dhe Cozman u bënë bashkë në muzikë, pasi që plot 10 vjet më parë, në vitin 2013, dyshja patën publikuar ndoshta hitin më të madh në karrierat e tyre muzikore – “Fenix”.

“Fenix” ka qenë ndër hitet më të mëdha të një dekade më parë dhe mbetet ndër këngët më ikonike akoma, derisa është klikuar afro 50 milionë herë.

Dyshja, Tuna-Cozman, u bënë bashkë përsëri në vitin 2015 edhe për një tjetër duet të suksesshëm – “Holla”.

Ata ishin bashkë për disa kohë duke e shijuar romancën e tyre në sytë e publikut, dhe po ashtu ishin ndër çiftet më të komentuara në estradë.

Ri-bashkimi i tyre në rrafshin muzikor ka ngritur dyshimet në publik se ata mund të jenë ri-bashkuar edhe në pjesën e personales, mirëpo aktualisht akoma nuk ka pasur asnjë reagim rreth kësaj, as nga Tuna, e as nga Cozman.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore