Lajme

Angelina Jolie pretendon abuzim fizik nga Brad Pitt-i


Angelina Jolie ka ndarë detaje të reja të fluturimit me avion të vitit 2016 që çoi në prishjen e martesës së saj me Brad Pitt.

Ajo ka folur për sjellje të supozuara abuzive.

Avokatët e 47-vjeçares pretendojnë se negociatat për t’ia shitur pjesën e saj të Chateau Miraval Pitt-it u ndërprenë për shkak të kërkesës së tij që ajo të nënshkruante një marrëveshje.

Një marrëveshje moszbulimi që do ta kishte “ndaluar kontraktualisht atë të fliste jashtë gjykatës për gjendjen fizike dhe emocionale të abuzimit të Pitt me të dhe fëmijët e tyre”.

Dokumenti i paraqitur në gjykatë përshkruan abuzim të zgjatur fizik dhe verbal nga Pitt në shtator 2016, teksa çifti dhe gjashtë fëmijët e tyre udhëtuan nga Franca në Kaliforni.

Sipas dokumenteve, “Pitt e mbyti njërin nga fëmijët dhe e goditi një tjetër në fytyrë” dhe “e kapi Jolie nga koka dhe e tundi”.

Në një moment “i derdhi birrë Jolie dhe në një tjetër u derdhi fëmijëve birrë dhe verë të kuqe”.

Disa ditë pas udhëtimit, Jolie bëri kërkesë për divorc. Ky i fundit u hetua nga autoritetet federale, të cilat kanë juridiksion mbi fluturimet. FBI-ja nuk pranoi të ngrinte akuza penale.

Një raport i FBI-së mbi rastin, ka nxjerrë se një agjent i dha zyrës së prokurorit të SHBA-ve “kopje të një deklarate të mundshme shkaku në lidhje me këtë incident”.

Sakaq, deklarimi i gjykatës detajon rrëfimin e Jolie për incidentin, për të cilin ajo thotë se filloi kur Pitt e akuzoi se ishte “shumë e respektueshme” ndaj fëmijëve të tyre dhe i bërtiti asaj në tualet.

“Pitt e kapi Jolie nga koka dhe e tundi, dhe më pas i kapi shpatullat dhe e tundi sërish përpara se ta shtynte në murin e tualetit”, thuhet në dosje.

Më pas, ai goditi disa herë tavanin e avionit, duke e shtyrë Jolie të largohej nga tualeti.

Sipas dokumenteve të gjykatës, kur një nga fëmijët e tyre doli në mbrojtje të Jolie, Pitt u hodh mbi fëmijën, duke e bërë Jolie të kapte Pitt nga pas.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore