Lajme

Anëtarët e OKB-së dënojnë Kinën për shkeljen e të drejtave të pakicave myslimane


50 vende, anëtarë të Kombeve të Bashkuara, i kanë bërë thirrje Kinës që të “respektojë detyrimet e saj ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.

Thirrja u bë në një deklaratë të përbashkët të lexuar gjatë një debati në OKB, ku u dënuan shkeljet kundër ujgurëve dhe pakicave të tjera, kryesisht myslimane, në rajonin Xinjiang të Kinës.

Deklarata, e lexuar nga përfaqësuesi i Kanadasë shprehu shqetësimin se Kina kishte refuzuar të diskutonte një raport të zyrës së OKB-së për të drejtat e njeriut, i cili vuri në dukje se trajtimi i ujgurëve dhe pakicave të tjera myslimane në Xinjiang mund të përbëjë “krime kundër njerëzimit”.

Shkeljet në Xinjiang të përmendura në deklaratën e përbashkët përfshinin ndalime masive, mbikëqyrje të bazuar në përkatësinë etnike dhe fetare, kufizime në identitetin kulturor dhe praktikat fetare, shkatërrimin e xhamive dhe faltoreve, zhdukjen e detyruar, punën e detyruar, ndarjet familjare, abortet dhe sterilizimin e detyruar.

“Shkelje të tilla të rënda dhe sistematike të të drejtave të njeriut nuk mund të justifikohen në bazë të masave antiterror”, thuhet në deklaratën e OKB-së.

Grupet e të drejtave të njeriut kanë akuzuar Kinën se ka futur 1 milion ose më shumë njerëz nga grupet e pakicave myslimane në kampet e paraburgimit në Xinjiang, ku shumë prej tyre kanë thënë se janë torturuar, sulmuar seksualisht dhe janë detyruar të braktisin gjuhën dhe fenë e tyre.

Në fillim të tetorit, Kina arriti të shmangë një diskutim të raportit të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut me bazë në Gjenevë, pasi shumica e 47 anëtarëve të trupit bllokuan fillimin e debatit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore