Kosova

Anëtarësimi në NATO çështje më urgjente për Kosovën – dhe për SHBA-në – sesa anëtarësimi në OKB apo BE, vlerëson raporti


Ilustrim

Anëtarësimi i Kosovës në NATO është çështje më urgjente për Kosovën – dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) – sesa anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuar (OKB) apo Bashkimin Evropian (BE), thuhet në një raport të titulluar “Nga kriza në konvergjencë: Një strategji për të trajtuar paqëndrueshmërinë në Ballkan nga rrënjët” të publikuar rishtas.

Gjithashtu, përfshirja e Kosovës në Partneritetin për Paqe të NATO-s (PfP), në bazë  të raportit, do të çonte në stabilizimin e menjëhershëm të disekuilibrit të paqëndrueshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, posaçërisht në dritën e zhvillimeve të fundit në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe. Në raportin në fjalë jepen shtatë arsye pse kjo duhet të ndodhë.

Së pari, anëtarësimi i Kosovës në NATO i ofron vendit të vogël ballkanik diçka që i nevojitet më së shumti: siguri dhe personalitet ndërkombëtar, konsideron raporti i ekspertëve ndërkombëtar. Po ashtu, shtojnë autorët e raportit, ndryshe nga përvoja e BE-së, ekziston një precedent për të arritur anëtarësimin e Kosovës në NATO pa qenë së pari anëtare e OKB-së.

“Italia dhe Portugalia në vitin 1949, dhe Gjermania Perëndimore në  vitin 1955, iu bashkuan NATO-s përpara se të ishin anëtarë të OKB-së. Të tre precedentët forcojnë apelin e Uashingtonit për aleatët rreth Kosovës”, kujton raporti, ndërsa duke pasur parasysh pozicionet e ngruta të Rusisë dhe Kinës, anëtarësimi i Kosovës në NATO do ta neutralizonte ndikimin e OKB-së.

Arsye shtesë pse anëtarësimi i Kosovës në NATO në kushtet aktuale është shumë më i rëndësishëm sesa anëtarësimi në OKB apo BE, vlerëson raporti, qëndron në faktin se vendimmarrja në NATO është shumë më realizueshëm sesa në BE apo OKB. Anëtarësimi i Kosovës konsiderohet të jetë katalizator edhe për skepticizmin e BE-së rreth anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor.

“NATO shërbeu si pararendës de fakto për çdo vend që është anëtarësuar në BE që nga rënia e Murit të Berlinit, duke përjashtuar Maltën dhe Qipron. Hyrja e Kosovës, së pari në PfP, dhe përfundimisht në aleancë, do të çonte në stabilizimin e rajonit dhe do të kthente ndjenjën e humbur se fati i rajonit është anëtarësimi afatshkurtër në BE”, thuhet tutje në këtë raport.

E arsyeja e fundit pse duhet të shtyhet përpara ambicia e Kosovës drejt NATO-s merr parasysh faktin se ndryshe nga BE-ja, aleanca e NATO-s përfshin SHBA-në dhe Britaninë e Madhe – një avantazh i qenësishëm në avancimin e çështjes së Kosovës, posaçërisht duke qenë se Uashingtoni dhe Londra janë mbështetës të fuqishëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Institucionet e Kosovës duan t’iu bashkohen strukturave të aleancës ushtarake, duke filluar nga programi i PfP-së, i cili është krijuar në vitin 1994. Duke qenë se brenda NATO-s janë katër shtete mosnjohëse – Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia – atëherë rruga e Kosovës drejt përmbushjes së këtij synimi madhor vlerësohet tejet e vështirë, por jo edhe e paarritshme.

Avancimi në Asamblenë Parlamentare të NATO-s | Shea: Koha që Kosova të përfshihet në Partneritetin për Paqe

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore