Kosova

Analistët presin që trashëgimia e Bidenit në mbështetje të Kosovës të vazhdojë edhe nën administratën potenciale të Harrisit


Joe Biden dhe Kamala Harris

Në dritën e tërheqjes së presidentit amerikan, Joe Biden, nga gara presidenciale në Shtetet e Bashkuara (SHBA), njohës të zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor kanë konsideruar se politika e SHBA-së ndaj rajonit, veçanërisht ndaj Kosovës, nuk do të ndryshojë rrënjësisht, pavarësisht rikonfigurimit të administratës pas zgjedhjeve të nëntorit 2024.

Bideni u tërhoq nga gara presidenciale më 21 korrik pas presionit publik, kryesisht për shkak të shqetësimeve në rritje rreth aftësisë së presidentit për të vazhduar fushatën. E zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris, ka siguruar mbështetje të mjaftueshme në kampin demokrat për të garuar kundër kandidatit republikan, Donald Trump, në zgjedhjet e 5 nëntorit.

Duke pasur parasysh fuqinë ushtarake, politike dhe ekonomike të SHBA-së, ajo që ndodh atje përcakton tonin e zhvillimeve në të gjithë botën, posaçërisht në Kosovë. Në këtë kontekst, njohësi i politikës amerikane në Ballkanin Perëndimor, Alon Ben-Meir, ka vlerësuar se politika amerikane ndaj Kosovës nuk do të ndryshojë nën administratën potenciale të Harrisit.

“Largimi i Bidenit nuk do të ndikojë në politikën amerikane ndaj Kosovës. Duhet të kujtojmë se mbështetjes politike, ekonomike dhe ushtarake të SHBA-së për Kosovën i ka paraprirë presidenti Biden dhe padyshim do të vazhdojë”, ka nënvizuar Ben-Meir në platformën “X” të mërkurën.

E specialisti në fushën e menaxhimit të konfliktit, Daniel Serwer, ka nënvizuar se nëse vjen në pushtet kandidatja demokrate, ajo do ta trajtojë Kosovën sikurse Tajvanin dhe Ukrainën. Kjo, në bazë të analizes së Serwerit të publikuar në platformën “Peacefare” gjatë kësaj jave, do të thotë se vendi i vogël ballkanik do të mbrohet nga pretendimet territoriale të Serbisë.

“Harrisi është gjithashtu e ashpër ndaj Kinës. Kosova mund t’i duket si Tajvani dhe Ukraina. Kjo do të thotë se Kosova duhet të ruhet dhe mbrohet nga pretendimet territoriale të një shteti që është shpërbërë. Ajo s’ka gjasa të ketë simpati ndaj Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe apo autonomisë së Republikës Serbe”, ka shkruar Serweri në një analizë të fundit.

Konventa e Partisë Demokratike, ku do të konfirmohet kandidati/ja demokrat/e, do të mbahet në gusht. Ndërkohë, përkundër se analistët nuk presin që politika amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor të ndryshojë rrënjësisht – pavarësisht se kush do të vijë në krye të SHBA-së pas zgjedhjeve – liderët e shteteve të rajonit kanë preferencat e tyre për garën presidenciale.

Ndryshe, me gjithë pasigurinë lidhur me mbështetjen amerikane në të ardhmen për Kosovën, për shkak të mundësisë së rikthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, dhe përkundër se humbja e Harrisit mund të jetë një lloj satisfaksioni personal për lidershipin serb, shumë vëzhgues kanë theksuar se qasja e përgjithshme e administratës së ardhshme nuk do të ndryshojë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore