Shqipëria

AMP reagon për plagosjen e emigrantit egjiptian, polici i pezulluar


Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka reaguar për incidentin e ndodhur në Rrugën e Kombit, ku pas ndjekjes nga policia u plagos me armë një emigrant egjiptian.

Referuar njoftimit të AMP-së, më datë 4 dhjetor rreth orës 23:09, nga punonjës të Sektorit të Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Kukës është konstatuar gjatë rrugës automobilistike Milot – Kukës, në vendin e quajtur “Rubik”, një mjet furgon Volkswagen.

Mjeti ecte me shpejtësi dhe në mënyrë jo të rregullt, duke krijuar dyshime.

Pas njoftimit dhe verifikimit nga Salla e Komandimit Kukës, rezultoi se mjeti furgon Volkswagen me targë AA 730 VM ishte dhënë me qira.

Dhe dyshohej se mund të ishte me emigrantë që vijnë nga Lindja e Mesme.

Patrulla e Policisë “Shqipoja” ka lëvizur në drejtim të fshatit Mamës, ku ishte konstatuar për herë të fundit furgoni i dyshuar dhe pas disa minutash lëvizje në aksin nacional, në vendin e quajtur Mamës kanë konstatuar furgonin të devijojë nga rruga kryesore dhe të futet në një rrugë dytësore.

Ata kanë vazhduar ndjekjen e mjetit poshtë nënkalimit të fshatit Mamës-Kukës dhe pas rreth 100 metrash, drejtuesi i mjetit K. GJ. 29 vjeç ka ndaluar automjetin duke tentuar të largohej me vrap.

Po ashtu edhe personat që ndodheshin në furgon.

Sipas deklarimeve, punonjësi i policisë Inspektor K.B. ka nxjerrë armën dhe pasi ka qëlluar dy herë në ajër ka vazhduar ndjekjen e tyre.

Mirëpo, vijon AMP-ja, duke qenë terren i vështirë me shkurre dhe lagështirë dhe në kushtet e errësirës është penguar duke kryer qitje të pavullnetshme me pistoletën që mbante në dorë.

Për pasojë, është plagosur shtetasi egjiptian M. H. G, i cili ka marrë një plagë me armë zjarri në pjesën e shpinës.

Punonjësit e policisë kanë bërë shoqërimin drejt Spitalit Rajonal të Kukësit të shtetasit egjiptian të plagosur, si edhe drejtuesit të mjetit furgon, i cili pësoi lëndime të lehta pasi u rrëzua nga një lartësi rreth tre metra gjatë ndjekjes nga ana e punonjësve të policisë.

Ata, pasi kanë marrë ndihmën e parë në Spitalin Rajonal të Kukësit, janë përcjellë për në Spitalin e Traumës Tiranë dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Në DVP Kukës janë shoqëruar në lidhje me këtë ngjarje edhe 12 shtetas nga vendet e Lindjes së Mesme për kryerjen e veprime hetimore të mëtejshme.

Sakaq, drejtuesi i mjetit rezulton shtetasi K. GJ, 29 vjeç, i cili u arrestua në flagrancë si person i dyshuar për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufjve” dhe “Mosbindja e Urdhërit të Punonjësit të Policisë së Rendit Publik” parashikuar nga nenet 298/2 dhe 242 të Kodit Penal.

Është bërë pezullimi nga detyra i punonjësit të policisë, Inspektor K. B., deri në përfundimin e hetimeve mbi këtë ngjarje.

Ndërkohë, nga këqyrja e vendit të ngjarjes janë sekuestruar tre gëzhoja pistolete të tipit GLOK që i përkasin armës së punonjësit të policisë.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, janë duke u kryer hetime të plota për sqarimin e pozitës ligjore të punonjësve të strukturave të policisë të përfshirë në ngjarje.

Në përfundim të veprimeve hetimore dhe konkluzioneve të Prokurorisë do të përcaktohet përgjegjësia penale e punonjësve të policisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore