Bota

Amerika Qendrore/ Presidenti i El Salvadorit: Drejt legjitimitetit të Bitcoin-it


Presidenti i El Salvador-it, Nayib Bukele, në një konferencë tё Bitcoin-it, në Miami, ka njoftuar se, javën e ardhshme do të dërgojë legjislacionin e propozuar në kongresin e vendit, pёr ta bёrё të ligjshme përdorimin e kriptomonedhës.

Të shtunën, presidenti 39-vjeçar, i cili u zgjodh me njё miratim mbi 90% dhe e shndërroi Twitter-in në mënyrën e tij të preferuar të komunikimit, e cilësoi atë si një ide që mund ta ndihmonte El Salvadorin të ecte përpara.

“Javën e ardhshme do t’i dërgoj Kongresit një projektligj, sipas të cilit Bitcoin do të legjitimohet në El Salvador”, tha Bukele.

Me pak fjalë, kjo do të gjenerojë vende pune, duke ndihmuar në sigurimin e përfshirjes financiare për mijëra.

Në planin afatmesëm dhe afatgjatë, Bukele shpreson që ky vendim të mund të ndihmojë “ta shtyjmë njerëzimin sadopak në drejtimin e duhur”.

Dollari amerikan është monedha zyrtare e El Salvadorit. Rreth një e katërta e qytetarëve të El Salvador-it jetojnë në Shtetet e Bashkuara (SHBA) dhe vitin e kaluar, pavarёsisht pandemisё, ata sollёn nё vend më shumë se 6 miliardë dollarë.

Partia “Ide e Re” e Bukele-s mban një shumicë në kongresin e ri të ulur më 1 maj, duke i dhënë çdo propozimi legjislativ nga presidenti një gjasë të fortë të kalimit.

Detaje shtesë të planit nuk u publikuan. Por Bukele, në mesazhet pasuese në Twitter, vuri në dukje se Bitcoin mund të ishte “mënyra më e shpejtë për të transferuar 6 miliardë dollarë tё dёrgesave nga jashtё”.

Ai tha se, një pjesë e madhe e atyre transferimeve të parave, u humbën pёrmes ndërmjetësve dhe se me Bitcoin mund të përfitonin më shumë se një milion familje me të ardhura të ulëta.

Gjithashtu ai tha se 70% e popullsisë së El Salvadorit nuk kanë një llogari bankare dhe punojnё nё tё zezё.

“Bitcoin mund të përmirësojë përfshirjen financiare”, tha Bukele.

Kritika ka pasur ndaj disa prej masave më drastike të Bukele-s gjatë pandemisë, përfshirë një urdhër të detyrueshëm të qëndrimit në shtëpi dhe arrestimin e atyre që u kapën duke shkelur rregullat.

Ndërsa gëzonte një marrëdhënie pozitive me ish-presidentin e SHBA-ve Donald Trump, Bukele ka pasur një marrëdhënie shumë më të tensionuar deri mё tani me administratën e Presidentit Joe Biden.

Bukele është vlerësuar për marrjen e masave agresive kundёr Covid-19 dhe drejtimin e një programi efikas vaksinimi shumë më të suksesshëm se fqinjët e El Salvador.

Marrë dhe përshtatur nga BBC për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore