Lajme

Ambulancat në Iran po përdoren për të shtypur protestat


Nuk është hera e parë që ndodh.

Aktivistët e kanë denoncuar prej dekadash.

Por që kur Mahsa Amini u vra dhe shpërthyen trazirat, po bëhet një praktikë e vërtetë në Iran.

Ambulancat po përdoren për të shtypur, arrestuar dhe rrahur protestuesit.

Këtë e kanë vërtetuar denoncimet prej disa kohësh nga OJQ-të që merren me të drejtat e njeriut jashtë vendit dhe një hetim i publikuar nga e gazeta “New York Times”.

Referuar OKB-së, protestat që shpërthyen në shtator çuan në një goditje brutale nga forcat iraniane të sigurisë, me më shumë se 14 mijë njerëz të arrestuar.

Po ashtu të paktën 326 njerëz u lanë të vrarë, sipas OJQ-së me bazë në Norvegji, Iran Human Rights.

Dëshmitë tregojnë se një pjesë e kësaj goditjeje përfshin përdorimin e ambulancave nga forcat e sigurisë për të depërtuar në protesta dhe për të arrestuar protestuesit.

Ata që kanë dëshmuar protestat në Teheran kanë thënë se kanë parë oficerë policie me veshje civile, që i detyronin studentët në pjesën e pasme të një ambulance gjatë një demonstrate në Universitetin Sharif më 2 tetor.

Një nga dëshmitarët ka treguar se i ka parë ata duke rrahur me shkop një nga studentët, i cili ishte në tokë dhe i mavijosur, përpara se ta shtynin në një ambulancë së bashku me një protestues tjetër.

Përdorimi i ambulancave për të ndaluar njerëzit ka ngjallur zemërim në komunitetin mjekësor iranian.

Një video e postuar në Twitter më 4 tetor tregon punonjësit e shëndetësisë duke demonstruar para Spitalit Universitar Razi në Rasht.

Në pankartat e tyre shkruhej se “Ambulancat duhet të përdoren për transportin e pacientëve’.

Më 22 tetor, Këshilli Mjekësor i Republikës Islamike të Iranit, organi licencues dhe rregullator për punonjësit e kujdesit shëndetësor, ngriti shqetësime në lidhje me përdorimin e ambulancave për transport jo-mjekësor.

Për shumë në Iran, përdorimi i ambulancave për të shtypur protestat shton mosbesimin në sistemin mjekësor të vendit.

Ka pasur disa raportime për iranianë të plagosur gjatë protestave dhe më pas të arrestuar pas trajtimit mjekësor në spitale.

Një nga objektivat kryesore të së drejtës ndërkombëtare humanitare është mbrojtja e civilëve dhe automjeteve civile si ambulancat gjatë konflikteve.

Sipas Konventës së parë dhe të dytë të Gjenevës, një individ bëhet “person i mbrojtur” sapo plagoset ose sëmuret.

Dhe se ambulancat janë përgjegjëse për mbrojtjen e të lënduarve dhe të sëmurëve, por edhe për transportin e personelit mjekësor dhe fetar dhe njësive mjekësore.

Sakaq, Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut do të mblidhet për të diskutuar nëse do të nisë apo jo një hetim ndërkombëtar i nivelit të lartë për shtypjen e dhunshme të protestave të vazhdueshme në Iran.

Sesioni special për “përkeqësimin e situatës së të drejtave të njeriut” në Iran është kërkuar nga Gjermania dhe Islanda, me mbështetjen e mbi 50 vendeve.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore