Lajme

Ambasadorja amerikane në RMV: S’ekziston ndonjë obligim ligjor që BDI të jetë pjesë e Qeverisë


Angela Ageler

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Maqedoni të Veriut, Angela Ageler, ka thënë se nuk ekziston asnjë obligim ligjor që Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) – partia më e madhe shqiptare në RMV – të jetë pjesë e qeverisë.

Këto komente, Ageler i ka bërë në një nga televizionet e Shkupit, pasi që “Fronti Evropian”, koalicioni që udhëhiqet nga BDI-ja, ka kundërshtuar VMRO-DPMNE-në – partia më e madhe maqedonase – pasi ka anashkaluar fituesin e zgjedhjeve në taborin shqiptar, dhe ka përzgjedhur për partner qeverisës humbësin, në këtë rast koalicionin “VLEN”.

“VMRO-DPMNE zgjodhi partnerin – VLEN-in, i cili gjithashtu është koalicion, ashtu si ‘Fronti Evropian’ i udhëhequr nga BDI. Për këtë kam biseduar me një numër zyrtarësh të BDI-së dhe të tjerë dhe nuk ka asnjë detyrim ligjor se me kë hyni në koalicion”, ka thënë Ageler.

“Partia që fitoi zgjedhjet pati mundësinë dhe zgjodhi të krijojë një koalicion me grupet minoritare në vend. Është me rëndësi të madhe sepse ajo që i bën të dyja vendet tona kaq të pasura është diversiteti, grupet dhe komunitetet e ndryshme etnike dhe ajo që ato sjellin në demokracitë tona”, shtoi.

Prandaj, ajo ka theksuar se është e kënaqur që qeveria e ardhshme që do të drejtohet nga Hristjan Mickoski, “është e përbërë nga grupe të ndryshme dhe nuk ka asnjë detyrim ligjor që BDI-ja t’i bashkohet qeverisë”.

“E di që ka çështje ligjore kundrejt legjitimitetit, por fakti është se VMRO-DPMNE zgjodhi partnerë nga komunitete të ndryshme në vend dhe kjo është e drejtë e tyre. Ata zgjodhën ta bëjnë këtë dhe ne do të shohim se si do të funksionojë ky partneritet”, potencoi.

“Pakurrizorët e VLEN-it” po ia mundësojnë Mickoski-t realizimin e agjendës anti-shqiptare

Ndryshe, ditëve në vijim pritet që të formohet qeveria e re në Maqedoni të Veriut. Mandatari Mickoski tanimë ka dorëzuar në Kuvend përbërjen dhe programin e qeverisë së tij.

Ekzekutivi i ri maqedonas do të përbëhet nga VMRO-DPMNE-ja si bartëse e koalicionit qeverisës, VLEN-i dhe Lëvizja “ZNAM”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore