Shqipëria

Ambasadorja amerikane në OKB pritet të vizitojë Shqipërinë


Linda Thomas-Greenfield, Përfaqësuesja e SHBA-ve në Kombet e Bashkuara, do të udhëtojë drejt Shqipërisë të dielën e 6 nëntorit dhe më pas në Poloni brenda datës 9 nëntor.

Kjo, për të ripërsëritur mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për këta dy aleatë të vendosur që po punojnë me ne, shkruhet në njoftimin zyrtar të ambasadës amerikane.

Një ndër arsyet e vizitës së diplomates amerikane është edhe përgjigja ndaj krizës së shkaktuar nga masat e luftës brutale së Rusisë kundër Ukrainës.

“Në takimet e saj me zyrtarë qeveritarë, ambasadorja Thomas-Greenfield do të falënderojë aleatët tanë për mënyrat e shumta kritike që po ndihmojnë popullin e Ukrainës dhe duke mbrojtur parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara”, shton deklarata zyrtare.

Sipas tyre, ambasadorja do të diskutojë gjithashtu se si palët mund të forcojnë bashkëpunimin në prioritete të tjera të përbashkëta.

Kjo, duke përfshirë forcimin e energjisë dhe sigurisë ushqimore, forcimin e aleancës transatlantike dhe mbajtjen e Rusisë përgjegjëse për mizoritë.

“Në takimet me liderët shqiptarë, ambasadorja Thomas-Greenfield do të përcjellë mirënjohjen e saj për lidershipin e jashtëzakonshëm që Shqipëria ka treguar si anëtare e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për një gamë të gjerë çështjesh në mbarë botën”, thekson njoftimi.

Ndërsa vizita e saj vjen gjatë 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri, ambasadorja Thomas-Greenfield do të diskutojë gjithashtu mënyrat për të forcuar partneritetin në takime me zyrtarë të lartë shqiptarë.

Vlerësimi

Më herët, puna diplomatike e misionit shqiptar në Këshillin e Sigurimit nuk ka kaluar pa u vënë re edhe nga kryeministri holandez Mark Rutte.

“Ndërkohë, sa i përket Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, jemi shumë krenarë që jemi atje. Ndodhi që ne u bëmë anëtarë për dy vjet në një kohë që është vërtetë sfiduese dhe ndjehemi të përulur shumë për gjithë fjalët e mira që dëgjojmë për misionin tonë, por nuk kemi asnjë dyshim për qëndrimin tonë”, deklaronte kryeministri shqiptar Edi Rama krah tij.

Kryeministri i Holandës theksoi se misioni shqiptar ka qenë kyç për shumë çështje për t’i bërë vendet bashkë.

Kjo, për shkak të cilësisë së diplomacisë shqiptare e po kështu sepse kishin një këndvështrim se si ta bënin.

“Ne kemi qenë anëtarë të Këshillit të Sigurimit dy vite më parë dhe është punë shumë e vështirë dhe dua të të përgëzoj për atë çka keni arritur deri më tani”, ravijëzoi kryeqeveritari holandez.

Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, deklaroi se me Shqipërinë si anëtare jo e përhershme, BE-ja mund të mbështetet në një anëtar më shumë në Këshill.

Delegacioni shqiptar në New York, mori zyrtarisht detyrën në tryezën me 15 aktorë botërorë në fillim të vitit 2022.

Shqipëria do të ketë mundësi jo vetëm të përqasë frymën e saj diplomatike, por të të gjithë rajonit që përfaqëson.

Pranimi thuajse unanim i vendit në këtë strukturë, është edhe një ndër arritjet më të mëdha për diplomacinë shqiptare, jo vetëm gjatë vitit 2021, por në gjithë historinë moderne të shtetit.

Këshilli i Sigurimit është ndër organet më të rëndësishme të OKB-së, që ka për detyrë mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në mes të kombeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore