Kosova

Ambasada franceze: Vizita e Kouchner-it u anulua për shkak të problemeve logjistike


Bernard Kouchner

Ish-administratori i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bernard Kouchner, në Kosovë, vizitën e tij në Prishtinë do ta zhvillojë në një datë të mëvonshme, pasi që vizita e paralajmëruar për të martën u anulua për shkak të problemeve logjistike.

Kështu ka njoftuar Ambasada e Francës në Kosovë, të martën, në një komunikatë për media.

“Ju informojmë se vizita e ish-ministrit francez të Punëve të Jashtme dhe Përfaqësuesit të Lartë të OKB-së, Bernard Kouchner në Kosovë, fatkeqësisht është dashur të anulohet për shkak të problemeve logjistike të lidhura me udhëtimin e Dr Kouchner”, thuhet fillimisht në reagim.

Në këtë reagim, misioni diplomatik francez në Kosovë ka shprehur keqardhje për anulimin e vizitës, derisa kanë falënderuar presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.

“Ju njoftojmë se vizita e tij do të realizohet në një datë të mëvonshme. Ambasada e Francës shpreh keqardhje për këtë pengesë dhe falënderon sinqerisht Presidenten, Kryeministrin, Kuvendin e Kosovës, Kryetarin e Prishtinës, Kuvendin komunal dhe të gjithë personalitetet e shoqërisë që pranuan të takohen me Dr Kouchner gjatë vizitës së tij”, thuhet tutje në komunikatë.

Nga viti 1999 deri në vitin 2001, Kouchner ka mbajtur pozitën e Përfaqësuesit Special të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Ndërsa, nga viti 2007 deri në vitin 2010, ai ka qenë Ministër i Punëve të Jashtme të Francës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore