Kosova

Ambasada e ShBA-ve: Veprimet e Qeverisë së Kosovës po vënë ushtarët e KFOR-it në rrezik të madh


Foto nga arkivi

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, është shprehur e shqetësuar për aksionin e së premtes në Veri të Kosovës, ku u mbyllën pesë komuna paralele, ata kanë vlerësuar se këto veprime të pakoordinuar po i vënë në rrezik të lartë ushtarët e KFOR-it.

“Siç e kemi theksuar më parë, veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”, thuhet në komunikatën e ambasadës.

ShBA-ja ka paralajmëruar se kjo do zbeh edhe partneritetin e tyre me Kosovën.

“Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave reflekton një përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë”.

“Ky aksion është vazhdimësi e aksioneve të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, e që vazhdojnë të kenë ndikim direkt dhe negativ në komunitetin serb dhe komunitetet tjera minoritare në Kosovë”.

Ndërsa është shtuar se kërkesë e tyre e vazhdueshme nga Qeveria Kurti, ka qenë që të koordinohem për aksione të ngjashme si ky i së premtes.

“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar në vazhdimësi nga Qeveria e Kosovës që të ketë prioritet koordinimin me komunitetin ndërkombëtar dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet në agjendën e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

“Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave reflekton në përkeqësimin real dhe në rritje të partneritetit tonë”.

ShBA-ja vazhdimisht ka pasur ankesa dhe është shprehur e shqetësuar për veprimet e pakoordinuar të Qeverisë të udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti, në pjesën veriore të vendit.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë mbyllur pesë institucione paralale ilegale të vetëqeverisjes lokale në Veri, të cilat sipas tij kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë.

“Komunat paralele të cilat nuk do të operojnë më janë: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, komuna paralele e Mitrovicës, komuna paralele e Zveçanit, komuna paralele e Zubin Potokut, komuna paralele e Leposaviqit”, ka shkruar Krasniqi, të premten.

Ndërsa, Policia e Kosovës, ka njoftuar se janë konfiskuar dokumentacione, pajisje teknologjike dhe dëshmi relevante që ndërlidhen me aktivitetet ilegale, të ushtruara nga strukturat ilegale në këto objekte.

Nga policia është thënë se i tërë operacioni policor është realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore