Lajme

Ambasada e ShBA-së për shtetaset kosovare të kthyera nga Siria: Kosova lidere globale në bashkëpunim kundër terrorizmit


Ministri Sveçla me te riatdhesuarat në Kosovë

Është grupi i tretë që riatdhesohet nga Siria në Kosovë, në katër vitet e fundit.

Për riatdhesimin e dy shqiptareve nga zonat e konfliktit në Siri këtë të shtunë, ka reaguar edhe Ambasada e Amerikës në Kosovë.

Në reagimin e ambasadës thuhet se Kosova vazhdon të përqafojë përgjegjësinë për qytetarët e saj duke demonstruar lidership global në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.

“Riatdhesimi i sotëm i qytetarëve kosovarë nga zonat e konfliktit në Siri, grupi i tretë në 4 vjet, përbën një shembull për të tjerët që duhet të ndjekin”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Për riatdhesimin e dy shtetasve kosovarë, reagim ka pasur edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se kjo u bë në bashkëpunim me qeverinë e Shqipërisë.

Tutje, Sveçla tha se kërkon respektimin e privatësisë së të kthyerve nga Sira dhe familjarëve të tyre për arsye të ndjeshmërisë së këtij procesi.

“Si institucione do të jemi në gjendje gatishmërie në çdo kohë dhe do të angazhohemi maksimalisht për mirëqenien e qytetarëve tanë por gjithmonë duke pasur parasysh që çdo veprim kundër ligjeve të Republikës së Kosovës dënohet sipas masave që përcaktohen nga ligjet”, ka shkruar Sveçla.

“Jemi të lumtur që jemi shtet lider global në luftën kundër terrorizmit duke zbatuar kështu me përgjegjësi të lartë obligimet tona si shtet anëtar i Koalicionit Global kundër ISIS”, ka thënë ndër të tjera ministri, duke kërkuar që të ruhet privatësia e të riatdhesuarve për shkak të ndjeshmërisë së procesit.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore