Lajme

Ambasada e Kosovës në Poloni shpërndan një artikull ku thuhet se shqiptarët dhe serbët kryen spastrim të ndërsjellë etnik


Ilustrim

Ambasada e Kosovës në Varshavë shpërndau në platformën “X” të martën një artikull të portalit “Defence24” kushtuar vizitës së zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes së Polonisë, Władysław Kosiniak-Kamysz, ku ndër të tjera pretendohet se edhe shqiptarët kryen spastrim etnik në vitet ’98/’99, duke barazuar luftën çlirimitare të shqiptarëve me mizoritë e serbëve.

“Duhet kujtuar se fundi i shekullit të 20-të u shënua me spastrim të ndërsjellë etnik të kryer nga milicitë serbe dhe shqiptare. NATO, me qëllim të de-përshkallëzimit të konfliktit, filloi Operacionin Forcat Aleate, i cili rezultoi me çarmatimin e milicive, tërheqjen e njësive të rregullta dhe zëvendësimin e tyre me forca ndërkombëtare”, thuhet në artikullin e portalit polak.

Më 12 qershor do të hynin në Kosovë trupat e para të NATO-s. Bombardimet e NATO-s mbi ish-Republikën Federale të Jugosllavisë (RFJ) përfunduan pas 78 ditëve, ndërkaq lufta në Kosovë përfundoi pas 14 muajve. Megjithatë, intervenimi i NATO-s nuk erdhi për shkak të spastrimit të ndërsjellë etnik, por për shkak fushatës gjenocidiale të Serbisë ndaj shqiptarëve.

“Lexoni këtë artikull të Defence24 për vizitën e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të mbrojtjes në Kosovë. Kosova është mirënjohëse për kontributin 25-vjeçar të kontigjentit polak të KFOR-it dhe është e përkushtuar për të thelluar lidhjet edhe më tej”, shkroi ambasada kosovare, duke shpërndarë artikullin ku pretendohet se edhe shqiptarët u angazhuan në spastrim etnik.

Ndërhyrja ushtarake dhe humanitare e NATO-s në Kosovë konsiderohet një ndër sukseset më të rëndësishme të aleancës së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara (SHBA), përkundër se përbente rastin e parë në histori që NATO ndërmerrte një operacion në territorin evropian – vendimi u përligj nga mbështetja e gjerë transatlantike dhe kërcënimi i një katastrofe humanitare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore