Kosova

Ambasada austriake në Shkup sqarohet pas reagimit publik të Merita Hoxhës


Merita Hoxha - Maksuti me të bijën

Pas disa ditësh që kur shtetasja e Republikës së Kosovës, Merita Hoxha – Maksuti, ka shprehur revoltë dhe shqetësim publik kundër Ambasadës së Austrisë në Shkup, ka reaguar edhe kjo e fundit duke sqaruar se kjo ambasadë shqyrton çdo aplikim për vizë sipas rregulloreve dhe ligjeve të shtetit.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare të Facebook, ambasada austriake në Shkup, ka thënë se kur vendoset për lëshimin e vizës, merret parasysh qëllimi i qëndrimit të synuar të aplikantëve për vizë, si dhe rrethanat e tyre personale, ekonomike dhe sociale.

Ambasada e Austrisë në Shkup.

“Ambasada duhet të kontrollojë informacionin nga aplikacioni për plotësinë dhe korrektësinë. Nëse dokumentet mungojnë ose nëse informacioni thelbësor rezulton i pavërtetë, përgjegjësia për këtë nuk është e ambasadës”, thuhet në njoftim.

Gjithsesi, në rastin konkret të Meritës, ambasada ka refuzuar të komentojë si në statusin e publikuar, ashtu edhe në porositë private me Albanian Post. E gjithë kjo, mbi arsyetimin e mbrojtjes së të dhënave.

“Për shkak të mbrojtjes së të dhënave, ambasada nuk ka të drejtë të komentojë për rastet individuale”.

“Në raste urgjente humanitare kërkesave për viza u jepet përparësi. Në përgjithësi, procedurat e vizave kërkojnë vetëm një vizitë të vetme. Shpesh ambasada lëshon atë që njihet si ‘njoftim mandati’”, thuhet në deklaratë.

Ndryshe, ditë më parë, Merita Hoxha- Maksuti, kishte treguar publikisht se nga ambasada austriake i ishte refuzuar viza disa herë me rrallë, duke e bërë të pamundshëm bashkimin me të bijën e saj, e cila ndodhet në Austri për shërim.

Siç ka thënë Merita, vizën e ka kërkuar për tu bashkuar me vajzën e saj pasi  vazhdimisht ka nevojë për të dhe e thërret shpesh në telefon pasi nuk ndjehet mirë as emocionalisht.

Revoltimi i Hoxha-Maksutit, si dhe qindra komentuesëve të tjerë, bëri që të reagojë edhe ambasada austriake.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore