Lajme

Ambasada Amerikane e habitur me Qeverinë dhe Presidencën serbe: Si është e mundur që i jepni hapësirë një krimineli?


Peticioni pwr faljen e kriminelit Zvezdan Jovanoviç

Krimineli i dënuar i luftës Dragan Vasiljkoviç, i njohur si “Kapiteni Dragan”, po zhvillon një peticion për t’i kërkuar Presidentit dhe Qeverisë së Serbisë ta falë Zvezdan Jovanoviç, vrasësin e dënuar të ish-kryeministrit serb Zoran Gjingjiç dhe një ish anëtar i njësive kriminale serbe.

Prandaj, një zëdhënës i Ambasadës Amerikane në Serbi, ka pyetur kryeministren serbe, Ana Brnabiç dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, se si ndodh që të zhvillohet hapur një fushatë për të falur vrasësin e dënuar të ish-kryeministrit të Serbisë dhe ka kërkuar që Qeveria dhe Presidenca serbe të reagojnë në mënyrë më të përshtatshme.

“Pse asgjë nuk është bërë deri më tani?”, është pyetja duke u kujtuar atyre se fushata të tilla dhe të ngjashme mund të dëmtojnë imazhin e Serbisë si një partner rajonal, duke pasur parasysh tensionet aktuale dhe një histori të mbushur me konflikte në Ballkan, njofton Zëri i Amerikës.

 Dragan Vasiljkoviç

Por, as Vuçiç e as Brnabiç nuk kanë reaguar deri më tani dhe nuk janë përgjigjur në pyetjet e zëdhënësit të ambasadës.

Nënshkrimet janë mbledhur në disa vende në Beograd, nën kujdesin e një organizate joqeveritare të quajtur “Fondacioni i Kapiten Draganit për Mbrojtjen e Serbëve kudo në botë”.

Sipas disa raporteve të mediave, anëtarët e organizatës ultra të djathtë Leviathan, e cila promovon ide ekstremiste u panë pranë vendeve ku kërkoheshin nënshkrimet, shkruan Zëri i Amerikës.

Zëri i Amerikës kujton se Dragan Vasiljkoviç shërbeu 13.5 vjet burg në Kroaci për shkak të vendimit për krimet e luftës në Knin dhe Glina gjatë konflikteve në vitet 1990.

Gjatë gjykimit, ndër të tjera u vërtetua se si komandant i Njësisë për Qëllime Speciale brenda njësive paraushtarake serbe, ai torturoi, abuzoi dhe vrau anëtarët e kapur të ushtrisë dhe policisë kroate në kalanë Knin në qershor dhe korrik 1991.

Zvezdan Jovanoviç

Në Mars 2020, ai u lirua nga burgu dhe më pas u përjashtua nga Kroacia, dhe që atëherë ai ishte në Serbi, ku ishte një mysafir i shpeshtë i stacioneve televizive tabloide, pronarët e të cilëve kanë lidhje të ngushta me autoritetet serbe.

Komiteti i Helsinkit, një agjenci joqeveritare e qeverisë amerikane e themeluar nga Kongresi, vlerësoi për Zërin e Amerikës se promovimi i faljes së të dënuarve për vrasjen e Kryeministrit të Serbisë është një nismë që e kundërshtojnë fuqishëm.

Sipas Komitetit të Helsinkit, rasti i Jovanoviçit dhe përpjekjet e fundit për ta liruar atë tregojnë se të njëjtët njerëz që kryen krime të tmerrshme kundër njerëzve të pafajshëm në vendet fqinje janë gjithashtu të gatshëm të përfshihen, ose mbështesin, dhunë në Serbi.

Zoran Gjingjiç

“Në përgjigje, ne presim që institucionet në pushtet dhe gjyqësori i Serbisë të mbështesin drejtësinë dhe të kundërshtojnë dhunën kriminale me fjalë dhe vepra, pavarësisht se kush është autori dhe kush është viktima,” saktësohet në përgjigjen e Komisionit të Helsinkit.

Zvezdan Jovanovic, një ish oficer i Njësisë së Operacioneve Speciale (JSO) të Departamentit të Sigurisë së Shtetit, po vuan dënimin me 40 vjet burg për vrasjen e kryeministrit serb në oborrin e qeverisë serbe më 12 mars 2003.

Njësia e operacioneve speciale ishte një formacion special i themeluar nga Sigurimi Shtetëror i Serbisë, dhe u shpërbë pas vrasjes së Gjingjiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore