Pajisje

Amazon ka mashtruar miliona konsumatorë për t’u regjistruar në Prime, sipas rregullatorit amerikan


Komisioni Federal i Tregtisë i SHBA-ve ka paditur Amazon-in për përpjekjen shumëvjeçare për të regjistruar konsumatorët pa pëlqimin e tyre në programin e abonimit me pagesë, Amazon Prime, duke e bërë të vështirë anulimin.

FTC ngriti një padi federale në Seattle, ku është selia e Amazon-it, duke pretenduar se gjiganti i teknologjisë “mashtroi me vetëdije miliona konsumatorë që të regjistroheshin pa vetëdije në Amazon Prime”.

Referuar FTC-së, kompania përdori “dizajn manipulues, shtrëngues ose mashtrues të ndërfaqes së përdoruesit për të mashtruar konsumatorët që të regjistroheshin në rinovimin automatik të abonimeve Prime”.

Dhe se opsioni për të blerë artikuj në Amazon pa u abonuar në Prime ishte më i vështirë në shumë raste.

Gjithashtu komisioni ka thënë se konsumatorët ndonjëherë u paraqiteshin me një buton për të përfunduar transaksionet e tyre, i cili nuk thoshte qartë se do t’i regjistronte ata në Prime.

Drejtuesit e kompanisë ngadalësuan ose refuzuan ndryshimet që e bënë më të lehtë anulimin e abonimit, thuhet në ankesë.

FTC ka thënë se “një nga qëllimet kryesore të biznesit të Amazon-it dhe qëllimi kryesor i biznesit të Prime është rritja e numrit të abonentëve”.

I nxjerrë në treg në vitin 2005, Prime ka më shumë se 200 milionë anëtarë në mbarë botën që paguajnë 139 dollarë në vit, ose 14,99 dollarë në muaj, për transport më të shpejtë dhe përfitime të tjera, si dorëzimi falas, kthimet dhe shërbimi i transmetimit Prime Video.

Amazon është përballur me një kontroll të shtuar rregullator në vitet e fundit teksa lëvizi për të zgjeruar dominimin në tregtinë elektronike dhe përfshirjen në tregje të tjera, duke përfshirë sendet ushqimore dhe kujdesin shëndetësor.

Padia pason një tjetër fitore të lidhur me Amazon-in nga FTC vetëm disa javë më parë.

Në fillim të këtij muaji, Amazon ra dakord të paguante një gjobë civile prej 25 milionë dollarësh për të zgjidhur akuzat se kishte shkelur ligjin e privatësisë së fëmijëve për ruajtjen e zërit të fëmijëve dhe të dhënave të vendndodhjes të regjistruara nga asistenti i njohur zanor Alexa.

Gjithashtu ra dakord të paguajë 5.8 milionë dollarë në rimbursime të klientëve për shkelje të dyshuara të privatësisë që përfshijnë kamerën e ziles së derës Ring.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore