Sport

Alvaro Morata rikthehet në ‘Stamford Bridge’, tempullin ku humbi shkëlqimin


Alvaro Morata do të ketë një mbrëmje jo shumë të zakonshme këtë të martë në Champions League. Sulmuesi i Juventus-it do të përballet me ish-skuadrën e tij, Chelsea-n.

Teksa rikthehet në “Stamford Bridge”, në vendin ku ‘dështoi’ dhe ku nuk mundi të ecte në gjurmët e bashkëkombasit të tij, Diego Costa-s, ai ka mundësinë të tregojë sa vlen.

Faktikisht, Morata nuk është numri “9” i parë që dështon me Chelsea-n. Fat të tillë kanë pasur edhe Radamel Falcao, Fernando Torres-i, apo dhe Tammy Abraham-i. Madje, jo pak shqetësime ka edhe për sulmuesin aktual, Romelu Lukaku-n.

Spanjolli mbërriti në Londër nga Real Madrid-i, si kërkesë e Antonio Conte-s. Ai numëronte 20 gola atë sezon (2017/18) me madrilenët edhe pse nuk ishte sulmuesi kryesor i ekipit. Në mënyrë të çuditshme, Conte do të hiqte dorë nga golashënuesi më i mirë i Chelsea-t, Costa dhe do e zëvendësonte me Morata-n.

Chelsea shpenzoi 66 milionë euro për të marrë kartonin e 29-vjeçarit nga Real-i. Në fillim të kampionatit, ai arriti të shënonte shtatë gola në shtatë ndeshjet e para. Por, më pas filloi dhe tatpjeta e ish-numrit “9”.

Mes dëmtimeve dhe dhimbjeve që ndjente në shpinë, Morata, do të shënonte nëntë gola në 15 ndeshjet e para të kampionatit dhe vetëm dy në gjysmën e dytë të tij.

Kjo solli që skuadra të mos kishte rezultatet e pritura dhe si pasojë, në verën e 2018 Conte u shkarkua nga detyra dhe sulmuesi nuk u grumbullua nga Spanja për Kupën e Botës në Rusi.

Morata ka folur rreth kohës që kaloi te Chelsea, duke thënë se “Kisha humbur besimin në vetvete. Isha shumë i mërzitur nga opinioni i njerëzve në Angli”.

“Nuk jam ndjer i vlerësuar nga klubi apo tifozët. E nisa shumë mirë te Chelsea, por një dëmtim në fund të lë paksa të mbërthyer. Sado keq që isha, prapë shënova 15 gola dhe fitova Kupën FA … po isha jashtë Kupës së Botës dhe për mua kjo ishte gjëja më e vështirë që mund të më ndodhte në jetë”.

“Unë kam ëndërruar të luaj në Kupë Bote që kur isha 10-vjeç dhe zgjodha Chelsea-n sepse mendova se do të ishte klubi më i mirë që më pas do të mund të luaja në Kupën e Botës”, shtoi sulmuesi i Juventus-it.

Pas Conte-s, në krye të Chelsea-t erdhi Maurizio Sarri. Nën drejtimin e Sarri-t, Morata bëri paraqitje akoma dhe më të këqija, duke kaluar mbase momentin më të keq në karrierën e tij.

“Kam kaluar një kohë shumë të keqe në Londër”, tha ai për “Goal” në vitin 2019, duke shtuar se “Isha shumë nervoz. Në fund u stërvita i vetëm. Nuk mund të dilja as në Londër”.

“Unë kurrë nuk kam qenë në depresion dhe shpresoj të mos jem, por u afrova. Depresioni është një sëmundje, ashtu si thyerja e kyçit të këmbës”, theksoi ai.

Chelsea më pas, lejoi largimin në huazim të Morata-s në drejtim të Atletico Madrid-it dhe solli Gonzalo Higuain-in dhe Olivier Giroud-in.

Në La Liga, Morata rifitoi besimin në vetvete. Por përsëri telashet nuk i’u ndanë. Në qershorin e 2019, hajdutët hyjnë në shtëpin e tij. Një situatë e tillë, solli jo pak tronditje për të dhe familjen e tij, sa që vendosi të largohej në drejtim të Italisë. Vendi i orgjinës së bashkëshortes, Alice Campello-s.

Morata u rikthye te Juventus-i, ekip me të cilin kishte luajur nga 2014-2016. Madje në 2015, shkuan deri në finalen e Champions League.

Në Torino, spanjolli ka rigjetur veten dhe lumturinë. Ai ka shënuar dy gola dhe ka dhënë një asist në tre ndeshjet e luajtura këtë sezon në Champions League.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore