Lajme

Aliu: Me Ligjin e Pagave po ndodh pabarazia


Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu

Sipas Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, Ligji i Pagave i miratuar nga Qeveria e Kosovës të mërkurën me koeficientin 105, do të duhej të sillte barazi, mirëpo ndodhi e kundërta.

Aliu ka shpresa që shqetësimet e tij do të adresohen në mundësinë e parë nga Qeveria.

“Në fakt po ndodh një lloj pabarazie, për faktin se të heqësh pagën apo të zvogëlosh pagën nga ajo që ka qenë vërtetë është një pabarazi por po besoj se ka mund të ik diçka nga koeficienti dhe nga ligji dhe kjo do të duhet të shërbente që në perceptimin e ardhshëm të përmirësohet”, ka thënë Aliu.

Kërkesë tjetër e tij është që rritja e pagave të bëhet në raport me krizën ekonomike.

“Sigurisht se ka edhe raste të tjera jo vetëm në administratën komunale por edhe në administratat dhe shërbimet të tjera që janë pjesë e Ligjit për Pagat ku janë adresuar defektet e tilla të ligjeve dhe koeficientit”.

“Por unë po besoj që në të ardhmen duhet të adresohen në mënyrë që të këtë vërtetë barazi dhe të këtë ngritje të pagës konform edhe gjendjes sociale që e kemi”, ka thënë Aliu për agjencinë e lajmeve Ekonomia Online.

Të shqetësuar me ligjin e pagave janë shprehur edhe deputetët, mjekët si dhe policët.

Jo më shumë, as aq sa ishte, as më pak, por shumë më pak u përcaktua vlera – vetëm 105 euro.

Përkundër se veç këtë të mërkurë u mor vesh koeficienti, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me 4 janar e kishte dekretuar shpalljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.

Me ligjin e ri, niveli i koeficienteve do të sillet nga 2 deri në 18 dhe do të afektojë rreth 83 mijë punëtorë të sektorit publik.

Më i larti i takon vetëm presidentes së shtetit, ndërsa më i ulëti u takon pozitave si; rekrut/kadet i Forcës së Sigurisë së Kosovës, kadet policor, kadet doganor dhe kadet korrektues.

Paga e një punëtori do të llogaritet duke e shumëzuar nivelin e koeficientit të pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore