Alibeaj i dorëzon Kuvendit kërkesën për t’u larguar nga grupi parlamentar i PD-së

SHFLETO
Sadiola Xhelili
24.06.2024 13:57
Loading Icons...

Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për t’u larguar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike (PD).

Alibeaj mësohet se ka kërkuar të cilësohet si deputet jashtë grupeve parlamentare.

Ditë më parë, ai reagoi në lidhje me vendimin e marrë nga Gjykata e Apelit. Një vendim ky, që i dha vulën e PD-së ish-kryeministrit Sali Berisha.

Ai ka shkruar në një postim në mediat sociale se nuk mund të jetë pjesë e grupit parlamentar të PD-së së drejtuar nga Berisha dhe politika e tij e vjetër.

Po ashtu ka theksuar se për të qenë demokrat sot, duhet të jesh “berishist”, për të cilën ka thënë se nuk e bën dot.

“Vendimi i Gjykatës së Apelit ishte një peshë e madhe për demokratët dhe betejën brenda PD-së. Mbi të gjithë për mua, si nënshkruesi i ankimit kundër vendimit të Zhukrit. Kam patur bindjen atëherë, e kam ende dhe sot, se ishte rruga e vetme, institucionale dhe bazuar në argumente juridike për të refuzuar paligjshmërinë e vendimit gjyqësor. Sepse edhe në organizimin partiak vullneti duhet formësuar dhe shfaqur sipas rregullave statutore dhe jo me kaos e dhunë”, ka shkruar ai.

“Vendimi i Gjykatës së Apelit disa ditë më parë, shënjoi dhe status quo-n e kësaj partie. Parti që zyrtarisht i përket Sali Berishës dhe mënyrës së tij të drejtimit dhe të bërit politikë. Personalisht jam ndarë me këtë mënyrë shumë vite më parë dhe në çdo kohë jam përpjekur të dëshmoj se i përkas një soji tjetër politik. Nuk besoj tek premtimi i Sali Berishës se PD-ja e tij do të ketë demokraci të brendshme dhe respekt për mendimin ndryshe. Mbi të gjitha nuk gjykoj që ajo mund të jetë oferta politike që meritojnë shqiptarët. Si formë dhe mënyrë e të bërit politikë është model i dalë jashtë funksionit të betejës me Ramën. Dy modele të ngjashme, e simbiotike, nuk mund të përballen duke sjellë rezultate ndryshe nga ai që kemi”.

Ai ka shtuar gjithashtu se kjo zgjedhje e tij për t’u larguar nga grupi është në shenjë respekti ndaj vendimit të gjykatës, qëndrimit të tij të deritanishëm, atyre që e mendojnë ndryshe nga ai, dhe ndjesisë së trishtë se një PD e tillë, “as nuk i shërben shqiptarëve që duan ndryshimin e as ata të japin dot besimin”.